Mbretëria e Bashkuar po diskuton një ndalim të mundshëm të mediave sociale për moshat nën 16 vjeç. Mediat britanike citojnë ministrin e Shtetit për Shkencën, Inovacionin dhe Teknologjinë, Peter Kyle, i cili tha se ndalimi i mediave sociale për ata nën moshën 16 vjeç është në është “në tryezë”, për të garantuar sigurinë e fëmijëve në internet.
Në një intervistë për programin Today, në BBC Radio 4, Kyle deklaroi se do të bëjë gjithçka që duhet për ta bërë internetin të sigurt për fëmijët.
“Unë po kërkoj që rregullatori të jetë më i sigurt kur bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve në internet”, tha ai.
Ministri gjithashtu njoftoi kërkime të mëtejshme mbi ndikimin e teknologjisë si telefonat inteligjentë dhe mediat sociale që kishin tek të rinjtë, duke përfshirë këtu edhe rastet ku adoleshentët kanë humbur jetën.
Kyle ka përcaktuar përparësitë e tij në atë që ai e quajti një “letër qëllimi strategjik” drejtuar rregullatorit Ofcom, i cili po merr kompetenca shtesë sipas Aktit të Sigurisë Online (OSA).
Ai deklaroi se Zyra e Komunikimeve (Ofcom), e cila është përgjegjëse për zbatimin e Aktit të Sigurisë Online që do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, duhet të marrë vendime më të mprehta kundër kompanive të teknologjisë.
“Kërkimi ynë është i qartë. Publiku dhe prindërit mbështesin një Akt të përditësuar që përfshin një detyrë gjithëpërfshirëse të kujdesit për firmat e teknologjisë dhe Kryeministri duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të kryer këtë punë të papërfunduar,” thuhet në një postim në X.
Iona Silverman, nga firma ligjore Freeths, e përshkroi një ndalim të mundshëm të mediave sociale si “një pikë në oqean”, duke thënë se adoleshentët thjesht do të gjenin mënyra të reja për të hyrë në materiale problematike në internet.
“Qeveria duhet të mendojë më shumë: ky është një problem që kërkon një ndryshim kulturor dhe gjithashtu kërkon që legjislacioni të jetë një hap përpara, dhe jo prapa teknologjisë,” tha ajo.
Ndërkohë aktivistët po bëjnë thirrje për masa më të rrepta, duke përfshirë ndalimin e telefonave inteligjentë në të gjitha shkollat , të cilat qeveria nuk i ka mbështetur, duke thënë se varet nga drejtuesit.
Ideja e kufizimit ligjor të mediave sociale për të rinjtë është vënë në qendër të vëmendjes pasi qeveria e Australisë tha se do të prezantonte legjislacionin për të ndaluar fëmijët nën 16 vjeç nga mediat sociale.
/a.r