Nga Artur Ajazi
Krimi në shkolla duket se nuk ndalet. Brënda 1 muaji kemi disa ngjarje të rënda në shkolla. Duket sikur as mësuesit, as drejtuesit e shkollave, as oficerët e sigurisë, as psikologët, dhe askush nuk po i ndalon të miturit të jenë kaq agresivë. Por pse po ndodh kjo, pse jemi të pamundur të bëjmë “zap” të miturit që mbajnë thika, doreza hekuri, dhe armë madje në brez ? Natyrisht, zanafilla nis tek familja, vazhdon tek shoqëria, dhe mbyllet tek shkolla. Asnjë mësues, asnjë drejtor shkolle, asnjë oficer sigurie, asnjë ministër Arsimi, nuk do të donte të ndodhte krimi në shkolla. Por edhe asnjë prej nesh, tek shohim të miturit të zihen, nuk shtyhet të bëjë “arbitrin”, por i lëmë të kacafyten, theren, dhe të humbin edhe jetën.
Askush nuk i paska parë dy të miturit 14 vjeçarë, tek shahen, kacafyten, dhe pastaj njëri prej tyre të nxjerrë thikën ? Natyrisht i kanë parë, por kanë bërë indiferentin. “Përderisa nuk është fëmija im, kokën hëngshin”- ka thënë dikushi me siguri. Por tek ka parë djaloshin e pafajshëm të këputet dhe të bjerë nga plaga në tokë, pastaj natyrisht na nisur dikush të ulurasë “ndihmë-ndihmë”. “Atë që nuk e bën fjala, natyrisht e bën hazreti”-thonin pleqtë e moçëm. Dikur në kohën e “diktatorit”, as mendohej që të miturit, adoleshentët, apo dhe të rriturit, të mbanin thika, doreza dhe armë të tjera me vehte. Kishte rregull, disiplinë, por edhe frikë nga polici, mësuesi, drejtori, madje edhe nga pastruesja e shkollës.
Shpesh mësuesit krahas autoritetit të tyre, përdornin asokohe edhe shkuljen e veshit, apo dhe pëllëmbën, kur ishte e nevojshme. Por kurrë, nuk vinte prindi si sot, dhe ti sulej mësuesit, por i kthehej fëmijës tij. Koha e “diktaturës” iku, dhe na erdhi demokracia bashkë me shumë “hynere” të tjera, edhe shthurja në shkolla. Sot nuk ka “bir nëne”, ti bëjë zap, furisë së agresivitetit të adoleshentëve në shkolla. Nga ana tjetër familja ka marrë “grushte” të fuqishme, dhe po shkatërrohet.
Të vetmit që e vuajnë shthurrjen e familjes, padyshim janë fëmijët. Në 34 vite, statistikat gjyqsore flasin për 254 mijë divorce në shkallë vendi. Pothuajse çdo javë, në gjykatat e rretheve ka mesatarisht 12 deri 16 divorce , dhe që shumica e tyre përfundojnë në ndarje. Shkaqet janë të shumta, por duke mos u ndalur në ato, duhet të jemi të shqetësuar për fëmijët e tyre. Kjo pasi shpesh, fëmijët e prindërve të divorcuar, kthehen në autorë krimesh, përdorues droge, dhe pjestarë bandash.
Demagogjia, morali, seminaret, konferencat, kongreset, nuk janë aspak zgjidhje për të rehabilutuar situatën dramatike në të cilën gjenden sot të miturit dhe adoleshentët. Zgjidhja nuk vjen me dorëheqje ministrash, siç rreken të na e thonë deputetët e opozitës. Madje këta të fundit, vijnë nga ajo parti e telendisur, që e qeverisi vendin në momentet më delikate, 1992-1996, dhe ku shkatërrimi i sistemit arsimor, nisi pikërisht atëhere. Ata që i thonë sot ministres Manastirliu “jep dorëheqjen”, duhet të kërkojnë mes tyre shkaqet e degradimit të sistemit arsimor, kur ata qeverisnin vendin.
Alarmi , duket sikur nuk vlen fare në situatën ku jetojmë. Ministria e Brendshme, veç rritjes së përqëndrimit të policisë në shkolla, duhet me urgjencë të organizojë kontrolle fizike, qoftë edhe 1 herë në javë, për ata që cilësohet si “nxënës problematikë”. Nuk shkelen të drejtat e njeriut, kur shton kujdesin ndaj të keqes. Boll me demagogji, aforizma, dhe ironi që nuk i shërben jetës së fëmijëve. Koha është tani, nesër do të jetë vonë.