Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe ka folur me shifra përsa i përket bonusit të pensionistëve këtë fundvit. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Gonxhe ka theksuar se 511,173 pensionistë do të marrin këtë fundvit bonusin 15 mijë Lekë (të reja), ndërsa 213,760 të tjerë përfitojnë bonusin 10 mijë Lekë (të reja).
Blendi Gonxhe: Kalojmë tek Sigurimet Shoqërore, ku së pari dua të theksoj që edhe më krenar sot që Kryeministri nga kjo sallë dha lajmin e mirë për 724,933 pensionistë, nga të cilët 511,173 pensionistë do të marrin këtë fundvit bonusin 15 mijë Lekë (të reja) dhe 213,760 pensionistë përfitojnë bonusin 10 mijë Lekë (të reja), përfshirë edhe të gjithë ata 65,763 pensionistë invalidë, si dhe 44,561 pensione familjare, gra e burra të ve, fëmijë jetimë si dhe 2,900 pensione të parakohshme të ushtarakëve.
Lajmin për bonusin e rritur për pensionistët e dha fillimisht Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit. Rama theksoi se për të gjithë ata që e kanë pensionin deri në 200 Euro do të ketë bonus 150 Euro. Ndërsa për pjesën tjetër që e kanë më të lartë se aq, bonusi do të jetë 100 Euro.