Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut zhvilluan një mbledhje të përbashkët të suksesshme në Prishtinë.
Nën kupolën e kryeministrave, Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski, ministrat firmosën tri marrëveshje bashkëpunimi: Protokollin për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Jazhnicë-Gllokoqicë, memorandum mirëkuptimi për sektorin e energjisë dhe një tjetër memorandum në fushën e arsimit.
Më pas në konferencën për shtyp, dy kryeministrat adresuan dhe shqetësimet për tensione etnike.
“Unë nuk besoj që dallimet ndëretnike shkaktojnë konflikt. Mund të ketë qëndra politike që për pushtet për hegjemoni, për dominim, për shfrytëzim, për shtypje përdorin dallimet etnike. Por dallimi etnik si i tillë nuk shkakton konflikt”, tha Kurti.
“Tema etnike hapin politikanë, të cilët nuk kanë ide, të cilëve u mungojnë idetë reale për nevojat e vërteta të qytetarëve. Ata nuk dinë si ta tërheqin vëmendjen ndryshe dhe përdorin temat etnike”, tha Mickoski.
Pyetjes lidhur me shqetësimet e ngritura, kryesisht nga Ali Ahmeti i BDI-së, për një dobësim të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut iu përgjigj edhe kryeministri i Kosovës.
“Kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, pasi tri dispozitat të ligjeve për përdorimin e gjuhëve, janë dërguar tek komisioni i Venecias. Këto tri dispozita nuk janë vendosur në jetë apo zbatuar në të kaluarën. Tani i përket gjykatës kushtetuese në RMV që ta vlerësojë. Por duhet ta sqarojmë një gjë, nuk ka në Maqedoninë e Veriut një ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën”, tha Kurti.
“Ata gjyqtarë që aktualisht janë pjesë e gjykatës kushtetuese në shtetin tonë, janë gjyqtarë të cilët janë zgjedhur në parlament nga shumica e kaluar mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe LSDM-ja. Unë sinqetrisht nuk e di prej nga e keni përshtypjen se ne ndikojmë apo se ne jemi të gjithëpushtetshëm dhe kontrollojmë të gjitha partitë, gjë që nuk është e vërtetë”, tha Mickoski.
Më tej kryeministri Kurti iu përgjigj dhe pyetjes pse me qeverinë e Shqipërisë nuk ka mbajtur ende një mbledhje të dyja qeverive.
“Me Shqipërinë i kemi mbajtur dy mbledhje tashmë, jemi barazuar sepse mbajtëm të dytën edhe me Maqedoninë e Veriut. Jam shumë i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që sa më parë të mbajmë edhe një mbledhje me Shqipërinë. Përndryshe, 58 marrëveshje i kemi bërë me Shqipërinë në ato dy mbledhje dhe zbatimi i tyre pavarësisht se nuk kemi mbledhje të tretë këtë mandat ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe më mirë se sa në të gjitha mandatet e mëhershme”, tha Kurti.
Ndër të tjera, Kurti zbuloi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë firmosur deri më tani 50 marrëveshje, ndërsa kërkoi që fokusi tani të jetë në zbatimin e tyre. Për tre paktet e nënshkruara në këtë mbledhje në Prishtinë, palët u pajtuan që t’i implementonin në janarin e 2025-ës..
/a.r