Nga Artur Ajazi
Prej 3 mandatesh qeverisëse nga ana e Partisë Socialiste, forca politike Partia Demokratike, po qëndron në opozitë. E afërt apo e largët qoftë koha e qëndrimit të saj në “stol”, kjo gjithmonë varet nga vota masive, e shqiptarëve. Dallimi mes PS dhe PD, është tek punët e mbaruara, tek mënyrat, format, dhe metodat se si ato forca politike, shkojnë tek qytetari, se si e bindin dhe e mbajnë gjallë shpresën tek ai.
Prej afro 12 vitesh, ne kemi parë dhe dëgjuar shumë propogandë nga partia e vetme opozitare, që së fundmi ka pretendime për të ardhur sërish në pushtet. Kemi parë çdo gjë, që nga çadra mes bulevardit, protestat absurde në sheshe, dhunën e molotovëve ndaj institucioneve dhe ndaj forcave policore, tek mosbindja civile duke bllokuar akset rrugore.
Kemi parë si u turren institucioneve dhe verbalisht edhe kryeministrit Rama, për të “liruar Berishën nga arresti shtëpiak”, apo dhe se si bllokojnë punimet e Parlamentit. Por nuk kemi parë dhe dëgjuar nga opozita, “megaprogramin e qeverisjes Berisha”, nuk kemi parë dhe dëgjuar nga opozitarët, që ç’nuk kanë bërë dhe ç’nuk kanë thënë në 12 vjet, se “çfarë dhe si janë rrugët e ardhjes në pushtet kur janë të pabashkuar si parti”. Ata njohin vetëm kundërshtimin, arrogancën, luftën verbale dhe presionin fizik, ata njohin vetëm pushtetin e fituar me vjedhje votash dhe mashtrime, dhe jo me programe konkurruese.
E lanë vendin të zhytur thellë në borxhe, rrumpallë institucionale, dhe varfëri ekstreme, dhe sot nuk pushojnë, për të njollosur çdo gjë që është arritur. Ata e kanë “zët” të bukurën, suksesin, ata e shembin investimin, vetëm e vetëm të mbjellin panik në popull. Ata njohin shpifjen, mashtrimin, dhe gënjeshtrën si opsion elektoral. Asnjë votë nuk do të fitojnë më shumë në 2025, edhe pse kanë baltosur rrugët e reja, autostradat, tunelet historike, rritjen e pagave dhe pensioneve, apo dhe afrimin e paimagjinuar drejt Bashkimit Europian.
Mendoj se, me 3 mandate në qeverisje, në çdo vend tjetër demokratik në Europë, çdo parti opozitare e përgjegjshme do të kishte pretendimet e saj, për tu rikthyer në pushtet. Eshtë logjike, pushteti të konsumon kur nuk arrin më ta administrosh. Por kjo nuk ka ndodhur, dhe nuk ka gjasa të ndodhë me qeverisjen Rama. Me një parti opozitare të tkurrur, dhe jo të rritur, me një parti të ndarë në llokma-llokma, dhe të pabashkuar, pretendimi për të ardhur në pushtet, duket më tepër se i pamundur.
Një parti politike që është kandidate për të ardhur në pushtet, të parën gjë që bën publikisht, është shpallja e programit të saj ambicioz dhe konkurrues, për të ngjallur besimin dhe shpresën tek shumica e votuesve. Vota popullore fitohet me transparencë të sinqertë, dhe jo me fushata spontane, pasi ke mbaruar tubimet e zjarrta poshtë ballkonit në mbështetje të liderit të arrestuar.
Kurrë nuk është e pamundur ardhja në pushtet kur je parti e vërtetë elektorale, që ngjall forcën, besimin dhe frymëzimin tek qytetarët. Ndaj mendoj se, opozita e ka rrugën e gjatë dhe me kthesa plot deri atje.