Luan Rama ka dalë kundër kryeministrit Edi Rama, në lidhje me përfshirjen e lëndës fetare në shkolla. Në Opinion, Luan Rama është shprehur se kryeministri nuk mund të bëjë politikë me fenë, shkruan Panorama.
A duhet të përfshihet feja në shkolla si lëndë shkollore apo jo? Luan Rama, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka ngritur edhe shumë pikëpyetje nëse janë pyetur apo jo aktorë të interesit në ndërtimin e projektit pilot të prezantuar nga Ministria e Arsimit dhe më herët nga kryeministri Edi Rama.
“Nuk bëhet politikë me fenë, por kur Kryeministri bën politikë ne nuk mund të rrimë apolitik”, tha Luan Rama. “Një qeveri, një shtetar nuk ka pse hyn në punët e Zotit, por të hyjë në çështjet e Kushtetutës”, theksoi ai.
Më tej ai hodhi dyshimet se kjo mund të jetë dhe një taktikë elektorale e Ramës, duke qenë se vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
“Ndruaj që kjo mos është ndonjë iniciativë me prapavijë elektorale. Në qoftë se ka papërgjegjshmëri politike, nuk ka pse feja bëhet pjesë e kësaj”, u shpreh deputeti i LSI-së.
Panorama