Të ardhurat nga akciza gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti arritën në total 48 miliardë lekë, ose 4,5 miliardë lekë apo 45 milonë euro më shumë krahasuar me 10-mujorin e vitit paraardhës. Kjo shifër është realizuar përgjithësisht nga rritja e importit të karburantit, me rreth 2,4 miliardë lekë, ndërsa edhe sasia e konsumuar në vend ka qenë 31,608 ton më shumë se 10 mujori i vitit të kaluar.
E thënë ndryshe qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj kanë arritur nivelin rekord të konsumit të karburantit përgjatë këtij vitit, me një sasi totale në 568.8 mijë ton, më e larta në të paktën 8 vitet e fundit.
Në rritjen e konsumit duket se është reflektuar edhe fluksi i lartë i turistëve përgjatë këtij viti, ku një pjesë e mirë vijnë me automjetet e tyre dhe pjesa tjetër marrin automjete me qira ditore.
Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, po ashtu, edhe artikujt e tjerë të akcizës kanë një performancë shumë të mirë në të ardhura, krahasuar me 10-mujorin 2023. Konkretisht, cigaret kanë realizuar 1,7 milion lekë më shumë të ardhura, gazi 154 milion lekë më shumë, ndërsa mallrat e tjera 228 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Edhe konsumi i artikujve të akcizës po ashtu është rritur, konkretisht cigare 55 ton më shumë, birra 6,984 ton më shumë dhe kafja 249 ton më shumë, duke arritur kështu nivelet më të larta historike.
Faktorët kryesorë në realizimin e të ardhurave nga akciza lidhen me rritjen e sasive të importit, prodhimit vendas, por dhe konsumit në vend, i cili vjen jo vetëm për shkak të fluksit të lartë të turistëve por dhe forcimin e luftës kundër informalitetit, nëpërmjet kontrollit rigoroz të subjekteve të akcizës.