Greqia është në bisedime me Izraelin, për blerjen e të ashtuquajturës kupolës së mbrojtjes kundërajrore dhe raketore, e quajtur ndryshe dhe “Iron Dome”, me vlerë 2 miliardë euro.
Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters, që i referohet burimeve ushtarake greke të cilat theksojnë se kupola anti-drone, e ngjashme me atë që përdor tashmë Izraeli në konfliktin në Gaza dhe Liban, është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të modernizuar forcat e armatosura greke , pasi vendi po rimëkëmbet nga kriza e zgjatur e borxhit publik.
Lajmi bëhet me dije vetëm disa orë pas një konference me dyer të mbyllura në parlament me ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias i cili ka paraqitur edhe një plan 10 vjeçar me ristrukturim të forcave ushtarake greke me vlerë disa miliarda dollarë.
“Duhet të hyjmë në epokën e dronëve. Çdo njësi e ushtrisë greke do të ketë një aftësi përdorimi të sistemeve anti-drone dhe 3 nga 4 llojet e batalioneve që po krijojmë do të kenë gjithashtu aftësinë për të emetuar dronë”, shtoi Nikos Dhendias ministri grek i Mbrojtjes.
Ministri grek ka deklaruar se duhet kaluar tashmë në epokën moderne të komunikimeve satelitore me një satelit grek ,ndërsa duhet të përgatitet vendi edhe për armatimin, në aftësitë e luftës kibernetike, sulmuese dhe mbrojtëse.
Struktura e re e Forcave Ushtarake aspiron të mbështetet me kalimin e kohës nga industria vendase e mbrojtjes dhe e ndërtimit të anijeve, e cila do të ketë në dispozicion fonde prej 6-7 miliardë eurosh për të marrë pjesë në zbatimin e programeve të reja.