Migrimi i përhershëm drejt vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka vazhduar të rritet, duke vendosur një rekord të ri në vitin 2023, sipas një raporti të ri. Numri i migrantëve të përkohshëm dhe azilkërkuesve gjithashtu është rritur ndjeshëm.
OECD është një organizatë ndërkombëtare e vendeve kryesisht të zhvilluara.
Në ‘Perspektivat e Migracionit’ të saj të fundit të publikuar të enjten, OECD me bazë në Paris tha se 6.5 milionë migrantë të rinj të përhershëm mbërritën në vendet e saj anëtare vitin e kaluar. Shifra është një rritje prej 10% nga viti në vit dhe 28% mbi nivelet e vitit 2019.
Raporti vuri në dukje se pjesa më e madhe e rritjes së vitit 2023 në migracionin e tipit të përhershëm ishte nxitur nga migrimi familjar, me 18% në terma vjetorë. Migrimi i përhershëm i fuqisë punëtore në vendet e OECD mbeti gjithashtu i lartë, me pak më pak se 1.2 milionë punëtorë, si në vitin 2022.
Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Mathias Cormann, tha: “Kërkesa e fuqishme për fuqi punëtore ka qenë një shtytës kryesor i migrimit gjatë dy viteve të fundit”. Ai shtoi se shumë vende të OECD-së po përballen me mungesë të gjerë të fuqisë punëtore dhe ndryshime demografike të afërta, që do të thotë se numri në rritje i migrantëve për punë kanë kontribuar në rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Sipas raportit, rreth një e treta e vendeve të OECD përjetuan nivele rekord imigrimi në vitin 2023, duke përfshirë Kanadanë, Francën, Japoninë, Zvicrën dhe Britaninë e Madhe. Një e treta tjetër regjistroi një rënie të flukseve hyrëse, duke përfshirë Danimarkën, Estoninë, Izraelin, Italinë, Lituaninë dhe Zelandën e Re.
Rritja më e madhe u regjistrua në Mbretërinë e Bashkuar, e cila për herë të parë ishte marrësi më i madh i emigrantëve pas SHBA-së, me emigrim neto prej 750,000 të nxitur nga rekrutimi në sektorin e kujdesit.
Raporti tregoi se numri i azilkërkuesve të rinj në vendet e OECD theu një rekord në vitin 2023, me 2.7 milionë aplikime të reja të regjistruara në vendet e OECD, një rritje prej 30% nga viti në vit.
Në SHBA, numri i kërkesave për azil në vitin 2023 ka kaluar për herë të parë ato në vendet evropiane të OECD së bashku, duke u rritur në më shumë se një milion.
Vendet kryesore të origjinës për aplikantët për azil brenda OECD në 2023 ishin Venezuela (270,000), Kolumbia (203,000), Siria (171,000) dhe Afganistani (150,000). Ato u pasuan nga Haiti, Kuba, Turqia dhe Nikaragua.