Nga Ben Andoni
Kanë kaluar pak ditë nga rekomandimi i institucionit të Avokatit të Popullit sa i përket trajtimit të krizës së refugjatëve, por me sa duket ai ende nuk është reflektuar si duhet nga strukturat shtetërore. Nuk ka lëvizje, nuk ka ndryshim, nuk ka asnjë masë shtesë ose përshtatje të mjediseve. Parashikimet e specialistëve lënë të kuptohet se ngrohja e motit ka gjasa të sjellë një fluks njerëzish në drejtim të vendit tonë, që janë bllokuar deri më tani në Maqedoni dhe Greqi.
Por, ndërsa nga autoritetet ka pasur thënie optimiste dhe deklarata se po bashkëpunohet me fqinjët, në terren gjendja lë shumë për të dëshiruar. Shqetësimin e parë e ngriti institucioni i UNHCR-së, me zyrën e saj në Tiranë, që e pyetur nga Aljazeera tha se në të vërtetë përpjekjet në terren të autoriteteve shqiptare mungonin realisht. Është e vërtetë që po patrullohet me forca shtesë, por sa i përket vendeve të supozuara të qëndrimit, është më mirë të mos i përmendim. Në këtë vazhdë, institucioni i Avokatit të Popullit, bëri punën e vet institucionale, duke i përcjellë autoriteteve shqiptare rekomandimet e saj.
I pyetur nga Javanews, z. Igli Totozani ka dhënë mendimin e tij, që e ka reflektuar dhe në rekomandimet bërë qeverisë pak ditë më parë…“Në lidhje me flukset e migrantëve dhe refugjatëve, një fenomen shqetësues në Europën e sotme, Shqipëria mbetet në një gjendje ende të papërgatitur në mënyrën e duhur. Ndërsa idetë e hedhura për qendra të mundshme pritje apo regjistrimi e ndihme për kalim tranzit janë të shumta, në terren pothuaj nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për të pasur mjedise të tilla pritje. Duke pasur parasysh nevojën e bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë, transparencë më e madhe duhet në këtë drejtim për t’i lejuar publikut të gjerë dhe shoqërisë që të jenë të mirëinformuar, çka do të sillte njëherazi edhe uljen e çdo mendimi ksenofobik”, citojmë institucionin e Avokatit të Popullit.
Nuk është hera e parë që ky institucion bën vërejtje thelbësore dhe rekomandime për çështje të ndryshme sociale, por shpesh ato bien në vesh të shurdhër dhe ka një mungesë reale përgjegjësie sa i përket strukturave të qeverisë shqiptare, lidhur me rekomandimet e saj. Përmendim ato që janë bërë me romët, por edhe me çështje të ndryshme, që kanë mbetur të pazgjidhura, thjesht prej neglizhencës dhe mungesës së respektit nga ana e autoriteteve shqiptare. Në rastin e fundit me emigrantët, përballja e problemit duke treguar humanizëm dhe seriozitet është një pasqyrë, pos të tjerave edhe e treguesve të parametrave realë të demokracisë shqiptare.
***************************************************************
A.P.: Duhet të merren urgjent masa!
Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, i dërgoi në ditët e fundit Kryeministrit Edi Rama, një rekomandim për trajtimin e krizës së refugjatëve
Avokati i Popullit z. Igli Totozani i ka dërguar kryeministrit Edi Rama një rekomandim për trajtimin e krizës së refugjatëve. Përmes këtij dokumenti kërkohet marrja e masave të menjëhershme dhe të nevojshme për trajtimin në përputhje me instrumentet kombëtare e ndërkombëtare të flukseve ekzistuese dhe atyre të pritshme të migrantëve dhe refugjatëve në Shqipëri.
Në këtë rekomandim z. Totozani thekson se:
- Shqipëria duhet të mirëpresë me solidaritet dhe humanizëm, çdo qytetar të huaj, që ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare.
- Qeveria e Republikës së Shqipërisë të vazhdojë të nxisë nismat rajonale e më gjerë për të mundësuar bashkërendimin e trajtimit dhe të ofrimit të ndihmës në Ballkanin perëndimor. Kriza migratore me të cilën po përballen vendet e rajonit ka rrënjë të thella dhe nevojë për vendimmarrje politike, por edhe për një qasje thellësisht humane nga të gjithë vendimmarrësit e zbatuesit, të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut. Bashkëpunimi rajonal mes vendeve të ndryshme duhet të nxitet duke parë me interes jo vetëm kuota për çdo vend, por respektimin e statusit të refugjatit, si dhe bashkërendimin në regjistrimin, trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve afatgjata për refugjatët. Zgjidhja më e mirë e krizës është vetëm zgjidhja e çështjeve në burimin e tyre ndaj edhe qeveria shqiptare duhet ta shohë këtë zgjidhje me përparësi e t’i përkushtojnë asaj të gjitha mjetet e duhura. Çdo politikë sigurie e ndërmarrë në këtë situatë, nuk duhet të shkelë të drejtat e njeriut.
- Qeveria e Republikës së Shqipërisë të mundësojë së pari, njohjen e këtyre personave para ligjit duke i pajisur ata me dokumentacion bazë të nevojshëm për një sërë procesesh administrative, që lidhen me statusin e tyre në territorin e saj, por që është edhe parakusht për të mundësuar një ndarje funksionale të ndihmës humanitare.
- Qeveria e Republikës së Shqipërisë të shpallë, në përputhje me Ligjin “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë”, njohjen e mbrojtjes së përkohshme për shkaqe të fluksit masiv për personat e ardhur nga vendet me një sfond të përbashkët dhe botërisht të njohur persekutimi, që përcakton gjasat që personat të jenë në kushtet e nevojës për mbrojtje ndërkombëtare. Refugjatëve dhe emigrantëve duhet t’u garantohet individualisht aksesi efektiv në procedurat e azilit, pa diskriminim.
- Të sigurohet një ndërveprim shumëplanësh për të kundërvepruar ndaj gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë, e cila ka pasoja për situatën e të drejtave të emigrantëve dhe në të njëjtën kohë shkakton edhe erozion të vlerave dhe parimeve themeltare të diversitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës në shoqërinë tonë.
- I gjithë procesi duhet të jetë tërësisht transparent dhe me synimin që të sigurohet një bashkëpunim i ngushtë i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me aktorët vendas dhe ndërkombëtarë, veçanërisht me shoqërinë civile dhe organizatat jo-qeveritare ndërkombëtare, që veprojnë në vendin tonë, për të forcuar garancitë dhe burimet për nevojat e grupeve vulnerabël, pjesë e flukseve migratore, duke përfshirë këtu fëmijët, gratë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, LGBT dhe viktimat e torturës.
- Angazhimin për trajtimin e veçantë, sa i takon të miturve të pashoqëruar pjesë e flukseve migratore, për garantimin e të drejtave të tyre themelore, për t’iu përgjigjur nevojave specifike të tyre dhe për të lehtësuar procesin e bashkimit familjar.
- Organet e drejtësisë dhe ato të Policisë së Shtetit, të trajtojnë me kujdes fenomenin e personave që kapen duke u përpjekur të lënë territorin shqiptar me dokumente të falsifikuara, në mënyrë të ndjeshme ndaj nevojave të tyre për mbrojtje ndërkombëtare, duke qenë se këta persona mund të jenë refugjatë. Ky këndvështrim duhet të ketë synim që të përcaktojë pozitën e tyre në kuadrin e flukseve migratore dhe veçimin nga trajtimi si rastet e tjera të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.
- Të përforcohen me bazë materiale dhe me shërbime të përkthimit ekipet që kryejnë procedurat administrative përkatëse për të huajt e parregullt në kufi, apo në drejtoritë rajonale të kufirit, në mënyrë që të sigurohet mundësia që, çdo i huaj që gjendet në mënyrë të parregullt në territorin shqiptar, të kuptojë qartë të drejtat e veta dhe të shprehë qartësisht nëse kërkon azil në Republikën e Shqipërisë. Në një rast të tillë, të sigurohet lidhje e menjëhershme me autoritetet e azilit, të Republikës së Shqipërisë.
- Personat, të cilëve u jepet urdhër largimi për t’u ekzekutuar prej tyre në mënyrë vullnetare, t’u lihet në dispozicion afati i përcaktuar nga ligji për këtë qëllim, duke mos u detyruar të largohen drejt territorit prej nga kanë hyrë në mënyrë të parregullt.
- Të mundësohet i plotë, monitorimi dhe vëzhgimi i pavarur i zbatimit të procedurës së përzgjedhjes, si edhe kushtet e pritjes apo të ndihmesës humanitare në qendrat e tranzitit, nga shoqëria civile, apo nga organizma të ndara nga pushteti ekzekutiv, të tilla si UNHCR, IOM, etj.
- Lehtësimin e aksesit të ankesave të depozituara nga refugjatët dhe emigrantët për institucionin e Avokatit të Popullit, lidhur me shkeljen e të drejtave të tyre nga autoritetet përgjegjëse në vendin tonë, me qëllim sigurimin e një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj këtyre ankesave.
- Karshi sfidës afat-gjatë të integrimit, zhvillimin e politikave të shëndosha të integrimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, që u lejojnë diasporave të reja për të qenë pjesë produktive e ekonomisë dhe një vlerë e shtuar për diversitetin e shoqërive që i mirëpresin ato.
- Të ndiqet qasja e moslargimit të njerëzve që vijnë nga vende të pasigurta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në situatën e flukseve migratore.
Ky rekomandim i Avokatit të Popullit drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë mbështetet në arsyetimin e mëposhtëm:
“Çështja e trajtimit të krizës së refugjatëve dhe migrantëve sot në Europë është një çështje e të drejtave të njeriut dhe duhet të përshkojë në mënyrë tërësore politikat shtetërore të vendeve pritëse apo të tranzitit, si dhe të atyre vendeve që kanë shuma gjasa të preken nga kjo krizë e paprecedentë në hapësirën e gjerë të Mesdheut. Kjo krizë migracioni, lidhet me cenimin e rëndë të të drejtave të njeriut në rajone të përfshira nga konfliktet e armatosura dhe të pllakosura nga varfëria, për më tepër në rëndimin e mëtejshëm të tyre, si pasojë e dështimit të vendeve të tranzitit dhe destinacionit, për një përgjigje koherente e të mirëkoordinuar dhe të mbështetur me burimet e nevojshme financiare, humane dhe logjistike.
Në këtë situatë shqetësuese humanitare janë pikërisht solidariteti, partneriteti dhe ndarja e përgjegjësive mes vendeve të origjinës, tranzitit dhe destinacionit, për menaxhimin e krizës dhe garantimin e të drejtave të refugjatëve, azil-kërkuesve dhe migrantëve të parregullt, vlerat dhe udhërrëfyesit e një ndërveprimi sa individual, aq edhe të përbashkët, për tejkalimin e gjendjes sfiduese të krijuar. Janë pikërisht këto parime që sot kanë një rëndësi kritike për përballjen me krizën në disa rrafshe të ndërlidhura: për garantimin e të drejtave bazike të emigrantëve dhe menaxhimin e krizës humanitare, për zbutjen e flukseve migratore dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, si edhe për integrimin e emigrantëve në shoqëritë e reja që do t’i mirëpresin, apo integrimi i tyre pas riatdhesimit në vendet e origjinës.
Kjo krizë e cila kërkon një përgjigje dhe ndërveprim global, na paraqet sfida komplekse si në kontekstin aktual imediat, ashtu dhe në planin afat-gjatë.
Trajtimi humanitar i refugjatëve dhe migrantëve është detyrim për çdo vend, po aq sa ç’është edhe njohja e të drejtave që u takojnë bazuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventën e vitit 1951, në lidhje me Statusin e Refugjatëve dhe Protokollin shtesë të saj të vitit 1967, si dhe në Direktivat e Këshillit të Bashkimit Europian nr. 95 të vitit 2011 dhe nr. 32 e 33, të vitit 2013. Edhe vendi ynë nuk mund të shmanget nga këto detyrime, t’i modifikojë, pezullojë apo t’i shtyjë në kohë, por përkundrazi duhet t’i trajtojë ato si edhe më të domosdoshme, në kohë krize.
Vlerat dhe parimet e solidaritetit, të drejtave të njeriut dhe lirive themelore nuk mund të përfaqësojnë vetëm “ushtrime ligjërimore”, por duhet të jenë udhërrëfyese të njimendta të reflektimit dhe vizionit tonë në përballje me krizën e migracionit. Duhet të kuptojmë se, janë pikërisht shkeljet e rënda e të drejtave të njeriut në vende dhe rajone të përfshira nga konflikti i armatosur dhe të pllakosura nga varfëria ato që shtyjnë me qindra mijëra, me miliona njerëz, që të ushqejnë flukset masive migratore.
Masat e ndërmarra nga shtetet që bien ndesh me standartet Europiane të të drejtave të njeriut, jo vetëm që janë të dëmshme për kohezionin social, por janë inefektive dhe në fakt kundër-produktive për menaxhimin e krizës. Duhet vërtetë një ndryshim “paradigmatik” lidhur me migracionin, për t’i dhënë fund “garës” së vendeve Europiane për të kthyer emigrantët dhe për të ngritur mure, rrjeta teli dhe barriera të tjera.
Në lidhje me flukset ekzistuese dhe ato të pritshme të migrantëve dhe refugjatëve, një fenomen i pranishëm dhe i padiskutueshëm në Europën e sotme, Shqipëria mbetet në një gjendje ende të papërgatitur në mënyrën e duhur. Ndërsa idetë e hedhura për qendra të mundshme pritje apo regjistrimi e ndihme për kalim tranzit janë të shumta, në terren nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për të pasur mjedise të tilla pritje. Duke pasur parasysh nevojën e bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë, transparencë më e madhe duhet në këtë drejtim për t’i lejuar publikut të gjerë dhe shoqërisë që të jenë të mirëinformuar, çka do të sillte njëherazi edhe uljen e çdo mendimi ksenofobik.
Fryma e solidaritetit dhe standardet e të drejtave të njeriut duhet të jenë në fokus të angazimeve të lidershipit politik dhe aksionit të përbashkët. Nuk është po ashtu e tepërt të thuhet se, duhet garantuar një ndërveprim i gjerë me shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut. Këto partnerë kanë ekspertizë të vyer dhe instrumentet e mekanizmat e veprimit, që janë të domosdoshme për një impakt sa më të gjerë gjeografik dhe demografik.
Ndërsa, vazhdimisht shihet një numër i madh njerëzish që përpiqen të kalojnë në territorin e disa vendeve të Bashkimit Europian me çdo mjet, duke u mirëpritur për më tepër në këto vende, autoritetet shqiptare të azilit nuk ndjekin të njëjtin ritëm dhe kuptim me këto zhvillime. Personat që kapen duke kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin për të ardhur apo për t’u larguar nga Shqipëria, edhe pse janë qartësisht pjesë e këtyre flukseve, edhe pse kërkojnë në vijim mbrojtje nga Republika e Shqipërisë dhe janë qartësisht në kushtet e fitimit të kësaj mbrojtje, iu mohohet tërësisht, apo u shtyhet pa fund hyrja në procedurat e azilit, ç’ka çon së fundmi në kthimin në vendet nga kanë ardhur dhe shkeljen e parimit të moskthimit, “non – refoulement”.
Kjo panoramë na shfaqet ndërkohë që, në një kontekst rajonal e më gjerë të krizës mbetet shqetësim tepër i madh, profilizimi i refugjatëve bazuar tek nacionaliteti dhe mosgarantimi i të drejtës së aksesit ndaj procedurave të azilit, pa diskriminim. Kësaj problematike i shtohet edhe fakti që dështimi në zbatimin e legjislacionit ndërkombëtar ka prekur gjerësisht grupet vulnerabël, pjesë të flukseve migratore, duke përfshirë këtu fëmijët, gratë, të moshuarit, viktima të torturës, personat me aftësi të kufizuar, LGBTI etj. I gjithë ky proces duhet të garantojë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat bazike, duke shmangur kthimin në vende ku nuk garantohet siguria e tyre.
Në kontekstin e krizave të thella shoqërore dhe konflikteve të armatosura, institucioni i Avokatit të Popullit, si garantues dhe promotor i të drejtave dhe lirive themelore, të cilat përfaqësojnë tabanin e vlerave dhe parimeve të demokracisë, rendit ligjor dhe mirëqeverisjes, luan një rol të rëndësishëm në këtë trajtim. Për këtë qëllim, institucioni i Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët në Tiranë (UNHCR), ka monitoruar në vijimësi Qendrën e Trajtimit të të Huajve të Parregullt në Shqipëri dhe Qendrën e Azilkërkuesve, pikat e ndalimit kufitar, si dhe ka parë nga afër pikat të cilat shihen si të mundshme për të ndërtuar kampe të pritjes apo të ndihmesës për kalimin transit të personave në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
Nga inspektimet në qendrat e pritjes e të ndalimit të përmendura më sipër është vënë re që kapaciteti i tyre në hapësirë dhe në burime financiare e njerëzore është i pamjaftueshëm, jo vetëm për raste të flukseve masive, por edhe për raste të rritjes graduale të numrit të azilkërkuesve, apo të migrantëve të parregullt në një kohë të shkurtër.
Po ashtu, nga inspektimet në pikat e kalimit kufitar, si dhe në pikat e mundshme – kampe të pritjes apo të ndihmesës për kalimin tranzit të migrantëve, konfirmuar edhe nga burime të Policisë Kufitare, është konstatuar se ka shumë sfida që duhen tejkaluar – qoftë edhe në një kuadër emergjence, në mënyrë që ato të konceptohen si qendra funksionale jo vetëm për regjistrimin dhe ndihmesën afatshkurtër ndaj personave në nevojë, por edhe si qendra rezidenciale që do të mundësojnë një qëndrim më afatgjatë të personave në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare në to.
Nga shpjegimet dhe parashikimet e bëra nga zyrtarë të policisë kufitare, nga informacionet e marra përmes medias, si dhe nga informacionet nga vendet e tjera, është e qartë që një numër shumë i madh personash, kryesisht sirianë, hyjnë çdo ditë në Greqi dhe prej andej nisen të kalojnë përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor – përfshirë këtu potencialisht edhe Shqipërinë, për në vende të caktuara të Bashkimit Europian. Këta persona, sidomos ata nga Siria, janë qartësisht persona në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare e duhet të trajtohen si refugjatë, pavarësisht nëse ata kërkojnë të qëndrojnë në një vend të caktuar apo jo. Si rrjedhim, është e nevojshme që të ketë një mirëkuptim rajonal dhe europian në lidhje me trajtimin humanitar të më shumë se 4 milionë refugjatëve nga ai vend. Theksojmë se qëllimi i tyre për të shkuar drejt disa vendeve të BE, nuk duhet të paragjykojë trajtimin që duhet t’u ofrohet, sidomos duke parë nevojën urgjente për ndihmë humanitare, por është pikërisht ky qëllim ai që duhet të jetë përcaktues në mënyrën se si do konceptohen dhe ndërtohen qendrat e pritjes, apo të profilizimit sipas rastit.
Në këto kushte është e nevojshme që, Republika e Shqipërisë të marrë masat e nevojshme për pritjen dhe trajtimin e personave në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, që paraqiten në kufij, apo kapen brenda territorit të saj. Trajtimi humanitar i refugjatëve dhe migrantëve është detyrim për çdo vend, po aq sa ç’është edhe njohja e të drejtave që u takojnë atyre nga aktet e sipërpërmendura.
Në përmbushje të funksionit të dyfishtë si mbrojtës dhe promotor i të drejtave të njeriut, institucioni i Avokatit të Popullit apelon për zgjidhje, të cilat kanë një përqasje të bazuar tek të drejtat e njeriut, si dhe të dhënies së garancisë se përgjigja e Republikës së Shqipërisë ndaj krizës së migracionit dhe çështjeve të sigurisë, nuk duhet të cenojë standardet e të drejtave të njeriut, qoftë nga pozitat e një vendi tranziti, apo edhe të një vendi destinacioni”.