Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama për aferë korruptive p9r mirëmbajtjen e rrjetit dixhital të Radio Televizionit Shqiptar duke i dhënë sipas selisë blu mikut të tij tenderin me vlerë 8.8 milion Euro.
Deklarata u dha nga Grida Duma e cila tha se kontrata e dyshimtë u miratua javën e shkuar.
“Kontrata, e cila i është paraqitur Këshillit Drejtues që në muajin gusht të vitit 2015, paracakton si përfituese kompaninë IDEA-Tel, një firmë e afërt me ministra e deputetë të maxhorancës aktuale. Megjithë debatet dhe kundërshtimet në Këshill, dhe kërkesën e shumë anëtarëve për organizimin e nje tenderi të hapur dhe konkurues, apo për kualifikimin e stafit të RTSH, për ta realizuar ata, mirëmbajtjen e rrjetit dixhital, duke kursyer kështu miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, gjithçka ka qënë e kotë pasi Edi Rama e kishte vendosur tia jepte, më saktë të ndante me klientin e tij 8.8 milionë euro”- tha ajo.
Duma deklaroi se 8.8 milionë euro, paratë e shqiptarëve, do të jepen për këtë kompani, edhe pse rrjeti dixhital ende nuk është ndërtuar.
Ajo akuzoi Ramën, për abuzim me paratë e shqiptarëve, në një kohë që gjysma e popullit, 46.2 përqind e familjeve jetojnë me 5 dollarë në ditë, pra kanë përfunduar në varfëri të plotë, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore.