Mbledhja e këshillit bashkiak të Shkodrës nisi me një minutë heshtje në shenjë solidariteti për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër më 28 tetor me katër viktima ku u vranë shtetasit Hamza Lici, Arlind Bushati, Bashkim Basha dhe Flutura Basha.
Këshilltarja e PD Glorja Shllaku propozoi mbajtjen e minutës së heshtjes në fillim të kësaj mbledhje që kreu i këshillit Oltion Luli e pranoi duke ftuar këshilltarët që të respektojnë këtë kërkesë.
Autorët e ngjarjes së rëndë, tashmë me katër viktima, janë ende të paidentifikuar.
Atentati risolli edhe një herë në vëmendje konfliktin e ashpër shumëvjeçar mes fiseve Bajri dhe Lici. Sipas të dhënave paraprake policore, objektiv i këtij atentati ka qenë një nga viktimat, Hamza Lici, i cili udhëtonte në automjet së bashku me Arlind Bushatin, i cili gjithashtu mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave.
Policia dyshon se në automjetin e autorëve kanë qenë të paktën tre persona: dy që kanë qëlluar me armë dhe shoferi i automjetit. Menjëherë pas ngjarjes, automjeti i autorëve u largua nga vendngjarja dhe u dogj pranë ish-repartit ushtarak në fshatin Golem, jo më larg se pesë minuta nga vendi ku ndodhi atentati.
Autorët janë kujdesur që automjeti të digjet plotësisht, duke mos lënë asnjë provë të vlefshme për policinë, edhe pse brenda tij janë gjetur armët që dyshohet se u përdorën në atentat. Ndërkohë, policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona, mes të cilëve edhe anëtarë të fisit Bajri, por ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete mbi autorët, të cilët dyshohet se mund të kenë qenë të paguar dhe natyrisht të stërvitur mirë për atentate të tilla
Megjithë angazhimin e policisë, forcave RENEA dhe prokurorisë së Shkodrës, ngjarja përveç dyshimeve ende nuk ka ndonjë të dhënë konkrete për zbardhjen e plotë të saj.