Hetimet për 21 janarin po ecin me ritme të shpejta dhe kjo dëshmohet nga personat që janë thirrur në SPAK. Avokati i njohur, Idajet Beqiri, i ftuar në “Tirana Live” me gazetaren Elisa Gjerani u shpreh se për këto vrasje do japin shpjegime edhe familjarët e viktimave. Sipas avokatit, kjo çështje po shkon drejt finalizimit.
“Po hetohet intesivisht dhe kjo është shenjë e mirë dhe po ecën me hapa të mirë SPAK. Do japin shpjegimi gjithë familjarët e viktimave. Është proces që po shkon drejt finalizimit”, tha ai.
Ai tha se SPAK është bindur në atë që Gjykata e Strasburgut i ka cilësuar vrasjet e 21 janarit si vrasje shtetërore.
“SPAK është bindur që gjykata e Strasburgut kur thotë se vrasja e 21 janarit është vrasje shtetërore”, tha ai.
Avokati shkoi më tej duke thënë se brenda dy muajsh mund të arrestohet ish-kryeministri Sali Berisha për 21 janarin dhe ish-ministri i Brendshëm si dhe ish-kreu i Policisë së Shtetit të asaj kohe.
“Maksimumi për dy muaj, nga ecuria siç po ecën, ne do kemi të arrestuar për këtë vepër penale Sali Berishën. Ai është i dyti [referuar ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha]. Ai ka probleme të renda, edhe për ish drejtorin e Policisë së Shtetit edhe për sekretin e përgjithshëm të qeverisë. Do ketë penalitet edhe për mjekët që bënë aktet e ekspertimit. Është dosje e nxehtë dhe do kemi plotë probleme”, tha ai.
Më 21 janar të 2011, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues u vranë. Viktima mbetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Hetimi për çështjen “21 janari” u regjistrua në SPAK në korrikun e këtij viti, në zbatim të një vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit.