Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato në fjalën e tij gjatë prezantimit të strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit 2024-2030, vuri theksin te efektiviteti i kësaj strategjie. Ai u shpreh se nevojiten ndryshime reale në luftën kundër korrupsionit dhe sipas tij, efektiviteti i kësaj strategjie do përcaktohet nga cilësia e zbatimit.
Ambasadori shtoi se duhet shkuar përtej hetimeve administrative. Ai theksoi se nevojiten ndryshime të matshme, kryesisht në sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit.
“Raporti për Shqipërinë nga KE, përgëzon arritjet e SPAK, por thekon nevojën për më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit.
Prezantimi i strategjisë në kohën e duhur edhe në këndvështrimin e punës që po zhvillohet brenda komisionit të posaçëm parlamentar për thellimin e reformave, mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
Shumë prej çështjeve që komisioni do identifikojë mund të trajtohen nga zbatimi efektiv i kësaj strategjie. Strategjia ka shanset më të mira për t’ia dalë me sukses.
Vëmendja te sektorët e ekspozuara për korrupsionin, Kadastra, shëndetësia, arsimi, administrata tatimore, doganore dhe prokurimet publike, mjaft e mirëpritur. Strategjia është themelore, efektiviteti i saj i vërtetë do përcaktohet nga cilësia e zbatimit. Duhet të shkojmë përtej hetimeve administrative. Na duhet të shohim ndryshim real, të matshëm, sidomos në sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit”, u shpreh Gonzato.
Ambasadori shtoi se strategjia e re kundër korrupsionit, është gur kilometrik thelbësor në rrugën e transparencës, llogaridhënies dhe të ardhmes së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Korrupsioni minon institucionet dhe jetët e qytetarëve, pengon zhvillimin ekonomik dhe pengon rrugët drejt mirëqenies. Për një vend kandidat të BE-së të luftosh korrupsionin është përgjegjësi që u detyrohet qytetarëve që kërkojnë të jetojnë në një shoqëri të drejtë dhe të barabartë. Ky është themeli për anëtarësim në BE.
Anëtarësimi në BE ka të bëjë me vlerat dhe standartet që Shqipëria duhet të mbajë”, tha ai.
/a.r