Këngëtarja e mirënjohur në Greqi, Eleni Foureira, e cila deri dy vjet më parë e kishte mbajtur të fshehur faktin që ishte shqiptare, në një intervistë që publikohet e plotë këtë të diel (18 prill), flet mbi origjinën e saj dhe planin për t’u rikthyer në Shqipëri ku edhe u lind. Këngëtarja që tani është rreth 30 vjeçe, e intervistuar nga “People” e “Proto Thema” në Athinë, thotë se është lindur në vendin e shqiponjave por nuk ka shkuar kurrë më në Shqipëri qysh kur emigroi familjarisht në Greqi.
“Nga atëherë, nuk shkova më kurrë në Shqipëri. Nuk ka qëlluar të shkoj”, – pohon Eleni. Kurse tregon dëshirën për të ardhur më në fund në vendin ku u lind: “Dua tani që të shkoj dhe të njoh vendin ku jam lindur. Suksesi i një njeriu nuk njeh as ngjyrë, as fe dhe as vendlindje”, – thotë Eleni. “Kjo ama, – shton ajo, – është diçka që e themi tani, në vitin 2016 dhe gëzohem shumë që më në fund të rinjtë janë të lirë dhe pa komplekse që të flasin hapur për gjithçka. Është gjynah të konfliktohesh, të hakmerresh deri dhe për gjënë më të vogël. Duhet të shohim anët e mira tek një person dhe mos presim te cepi që ta kapim e sulmojmë”, – thotë Eleni Foureira ndër të tjera në intervistën që e plotë publikohet në revistën që shoqëron gazetën më të madhe në Greqi. Sakaq në mediat greke, nuk reshtin përditë kronikat rozë për këngëtaren shqiptare. Duke e cilësuar përherë një këngtëtare të famshme dhe të mirënjohur, mediat greke po merren me shumë detaje të jetës dhe familjes së saj. Ditët e fundit iu dha jehonë dhe plaçkitjes së shtëpisë së motrës së saj Margarita e cila po ashtu jeton në Greqi.