Senatori Ted Cruz arriti një fitore të jashtëzakonshme në Wisconsin të martën e kaluar, duke frenuar një seri prej disa fitoresh për Donald Trumpin, si dhe duke shtuar shanset që kandidimi do të vendoset në konventën e Partisë Republikane.
Cruz fitoi 48% të votave por megjithatë, Trumpi vazhdon të udhëheqë me 742 delegatë, kundrejt 505 që ka Cruzi.
Por duke i lënë vetëm një grusht prej 42 delegatësh, Ted Cruzi dëmtoi shumë shpresat e Donald Trumpit për të siguruar 1237 delegatët që i nevojiten për ta siguruar kandidimin përpara Konventës Kombëtare të Republikanëve në korrik. Cruzi e përshkroi fitoren e tij si një provë që ishte një alternativë e fortë ndaj Trumpit.
“Kjo natë është një pikë kthese”, tha ai. “Eshtë një thirrje nga njerëzit punëtorë të Wisconsinit, drejtuar popullit të Amerikës: Ne kemi një zgjedhje, një zgjedhje të vërtetë”.
Humbja e Trumpit erdhi pas një serie gafash të dëmshme në fushatë. Ai u kritikua rëndë për faktin se javën që kaloi deklaroi se gratë duhet të ndëshkohen nëse abortojnë, një pozicion për të cilin ktheu mendje shpejt. Ai u vu në qendër të kritikave, edhe për shkak se kërcënoi dhe vuri në lojë bashkëshorten e Cruzit; për faktin se mbrojti menaxherin e fushatës, i cili ngacmoi një gazetare; si dhe për deklaratat e tij se Japonia dhe Korea e Jugut duhet të nxiten që të prodhonë armët e tyre bërthamore. Java katastrofike e Trumpit shkaktoi spekulime të mëtejshme se shefat e partisë do të bëjnë gjithçka për t’i mohuar kandidimin miliarderit bombastik, të cilin kreu i Kongresit Pol Rajan e ka quajtur “Kalorësi i zi”. Në një deklaratë hidhërimi pas humbjes në Wisconsin, Trumpi tha se Cruzi është nëj “kalë troje, që po përdoret nga shefat e partisë që po përpiqen t’i vjedhin atij kandidimin”.
Çfarë thanë editorialët
Përgjatë gjithë kësaj fushate, “analistët që shprehin dëshira” e kanë shpallur vazhdimisht Trumpin se ka arritur majën, shkruante Washington Post. Megjithatë, sa herë që ata kanë parashikuar shembjen e tij, ai vazhdonte të fitonte. Megjithatë, tani “akumulimi i madh” i deklaratave fyese nuk ka lënë asnjë dyshim se Trumpi “është i papërshtatshëm për presidencën”. Mohimi i presidencës për Trumpin është bërë gjë “më urgjente” dhe më “e realizueshme”.
Republikanët e linjës “Trumpin kurrë”, nuk duhet të fillojnë ende të fryhen, shkruante New York Times. Në dëshpërimin e tyre për të bllokuar kandidatin kryesor, shumë udhëheqës partie po mbështesin me hezitim Ted Cruzin. Megjithatë ka një arsye përse senatori evangjelist nga Teksasi dikur konsiderohej “i pamendueshëm’ për Partinë: Ai është një ideolog i pakompromis, me pikëpamje ultrakonservatore mbi imigrimin, aborsin, martesat e homoseksualëve dhe taksat. Ajo që po bëjnë republikanët, është që po shkëmbejnë një “biznesmen rrezikshëm injorant, me një senator rrezikshëm reaksionar”.
Pavarësisht dobësive të tij, Cruzi do të ishte një kandidat shumë më i mirë se sa Trumpi, shkruante Washington Examiner. Njujorkezi toksik tashmë “nuk honepset” nga afro 65% e të gjithë votuesve të mundshëm, e madje edhe nga 51% e votuesve të bardhë meshkuj. Sjellja e shëmtuar e Trumpit gjatë dy javëve të fundit e ka bërë të qartë se nëse fiton kandidimin, “Partia Republikane dhe lëvizja konservatore përballet me asgjësimin total”.
Çfarë thanë opinionistët
“Injoranca e frikshme e Trumpit po e dëmton rëndë tani”, shkruante JenniferRubin në Washington Post. Dredhat e tij të shumta mbi abortin, zbuluan se është tërësisht injorant për pozicionin pro jetës, që i voliti të adoptojë kur kandidoi si republikan. Kur mbrojti përhapjen bërthamore dhe nuk përjashtoi përdorimin e armëve bërthamore në Europë, kjo gjë shërbeu si një provë se Trumpi as nuk ka ndërmend të edukohet, për asgjë. Njeriu pyet, se mos “Trumpi vërtetë nuk do që të fitojë”, dhe në mënyrë të pavetëdijshme po saboton fushatën e tij, shkruante Xhon Fand në Nejshënëll Riviu. Sheri Jakobus, një stratege e republikanëve që është intervistuar për një vend pune nga ekipi i fushatës së Trumpit, tani nuhat që “ai ka dalë nga kontrolli dhe mbase as nuk e do kandidimin”. Në vend që të poshtërohet më tej nga Klintonët në zgjedhjet e përgjithshme, mendon Jakobus, ai thjeshtë preferon të mos sigurojë shumicën e delegatëve dhe më pas, për disa vite “të luajë viktimën e zemëruar”.
“Lajmet për fundin e Trumpit janë të parakohshëm”, shkruante Juxhin robinson në Washington Post. Me shumë gjasë ai do të dalë mirë në shtetet verilindore, dhe, edhe nëse mbërrin në konventë me disa delegatë më pak se sa shumica e nevojshme, por qindra delegatë se gjithë të tjerët, a do të kandidojë vërtetë Partia Republikane një tjetër kandidat? “Më vjen keq, por thjeshtë nuk besoj se republikanët e kanë guximin që të divorcohen prej bazës së tyre të zemëruar, dhe plot energji”.
Nëse Trumpi nuk siguron shumicën e kandidatëve para konventës, “ai nuk do të jetë kandidati, shkruante Ros Dauthet tek New York Times. Sipas rregullave dhe sipas traditës historike, kandidatët që mbërrijnë në konventë me një pluralitet deledatësh, por nuk kanë shumicën e kërkuar, nuk e marrin thjeshtë kandidimin. Pas votimit të parë, rregullat autorizojnë delegatët e tij që të zgjedhin një kandidat me më shumë shanse për fitore – që është gjithkush tjetër veç Trumpit, të cilin shumica e amerikanëve tani e urrejnë.
Udhëheqësit republikanë kanë frikë se kandidimi i Trumpit do të prodhonte një fitore të thellë të demokratëve, një fitore kaq të madhe, sa që do u kushtonte Kongresin, e madje edhe Senatin, shkruante Ben Dominik në Federalist. Kështu që, mos u habisni nëse “ata nxjerrin librin e rregullave për ta ndalur Trumpin, cilado qoftë kostoja”.
Bota.al