Detaje të reja kanë dalë në pah lidhur me atentatin që tronditi Shkodrën një ditë më parë.
Gazetari i Vizion Plus, Bepin Kolvataj, raporton se në automjet me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin ndodhej edhe një person i tretë.
Nuk ka ende informacion se kush është identiteti i këtij personi dhe nëse është lënduar nga të shtënat.
Grupi hetimor po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara për të bërë të mundur identifikimin e personit të tretë.
Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i cili është një emër i njohur në botën e krimit.
Por tragjedia nuk mbaron këtu! Veç Licit, mbetën të vrarë edhe dy persona të tjerë. Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, që ishte kandidat për Bashkinë e Shkodrës në vitin 2023, nën siglën e PD.
32-vjeçari ishte në makinë me Licin në momentin e ngjarjes dhe mori një plumb në kokë. Disa orë më vonë ai ndërroi jetë në spital. Nga ngjarja humbi jetën edhe Flutura Basha, 56 vjeç, ndërsa në gjendje të rëndë për jetën është bashkëshorti i saj, Bashkim Basha 67 vjeç.
Pas të shtënave, makina me të cilin lëviznin Lici dhe Bushati humbi drejtimin dhe shkaktoi aksident, duke përplasur një motoçikletë. Në të udhëtonin një çift bashkëshortësh, Flutura dhe Bashkim Basha. Si pasojë e përplasjes, humbi jetën në vend Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje kritike.
RENEA zbarkon në Dobraç
Forcat RENEA kanë mbërritur në qytetin e Shkodrës pas ngjarjes dhe kanë nisur kontrolle në perimetrin e zonës ku ndodhi ngjarja e rëndë. Disa persona u shoqëruan për t’u marrë në pyetje.
Gjendet makina e djegur e autorëve
Pak pas ngjarjes Policia e Shkodrës ka gjetur një automjet tip Land Rover të djegur në zonën e Grudës së Re, e cila dyshohet se është përdorur në atentatin e Shkodrës.
/a.r