Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër pasditen e sotme. Dy persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e të shtënave me armë, konkretisht Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit dhe një kalimtare e rastit.
Ndërsa dy të tjerë janë plagosur dhe ndodhen në gjendje të rëndë. Mësohet se plagosurit janë Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, ish kandidati i PD-së për kryetar të bashkisë së Shkodrës, i cili ndodhej në automjet me Hamza Licin.
Raportohet se automjeti me të cilin udhëtonte shënjestra e atentatit është ndjekur për disa metra dhe është qëlluar me breshëri plumbash. Dyshohet se dy automjete kanë zënë në pritë Hamza Licin, vëllanë e Ibrahim Licit, një personazh i njohur në botën e krimit.
Burimet thonë se mes dy grupeve pati shkëmbim zjarri, ndërsa Lici nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Lici ka qenë duke lëvizur me një mjet “S Class” me targa kroate.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Dobraçit. Policia ka sekuestruar pamjet e sigurisë dhe po punon për zbardhjen e konfliktit mes grupeve kriminale.