Analisti Mentor Kikia, gazetari Endri Xhafo dhe ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, ditën e sotme ishin të ftuar në “Quo Vadis” në ekranin e Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt për të diskutuar situatën politke në vend. Dita e sotme përkoi edhe me protestën e opozitës, e cila zgjati rreth 3 orë. Kërkesa kryesore e opozitës është krijimi i një qeverie teknike. Sipas zotit Kume, opozita po hyn në një garë zgjedhore në kushte shumë të vështira.
Kristaq Kume: Opozita po hyn në një garë zgjedhore pasi është marrë me veten e saj, është vetëshkatërruar. Kjo e vendos opozitën në kushte të vështira për të hyrë në një garë, e cila edhe nëse nuk do të ishte me këtë histori të dy viteve të fundit, do ta kishte shumë të vështirë të përballonte kundërshtarin (mazhorancën) e cila ka në dorë shumë instrumente të tjera. PS është shumë mirë e organizuar.
Nërsa analisti Kikia mendon se me arrestimin e Ilir Metës dhe Berishën në arrest shtëpie, opozita është në një tjetër realitet politik. Sipas tij, Berisha dhe Meta ishin strumbullarët e partive të tyre, megjithatë ai mendon se ata gjithashtu pengonin partitë të shkonin drejt pushtetit.
Mentor Kikia: Me arrestimin e zotit Meta dhe me “arrestin në shtëpi” të Berishës, opozita është në një realitet tjetër politik. Ka dy liderat e saj të burgosur, dhe për hir të së vërtetës këta janë dy njerëzit që shërbejnë si strumbullar për partitë e tyre. Unë besoj që nëse do dinë të kapin kursin e ri, PD dhe PL do mund të fitojnë një tjetër qasje edhe në raport me elektoratin ndhe në raport me ndërkombëtarët. Sado që Berisha dhe Meta shërbenin si strumbullarë të partive të tyre, ata ishin po aq pengesë për t’i çuar këto parti në pushet. Qytetarët sado që mund të jenë kundër një mandati të katërt të Edi Ramës, nuk do pranonin të mandatonin Berishën të rikthehej në pushtet dhe Metën për tu rikthyer në pushtet. Unë besoj se shqipatrët nuk do ta kenë në listën e votimit Berishën dhe Metën sado që ata vazhdojnë të drejtojnë partitë e tyre.
/a.r