Vendimi për t’i dhënë “Topin e Artë 2024” spanjollit Rodri dhe jo braziliani Vinicius Jr po kthehet në një rast të vërtetë politik. Sipas spanjolles “Marca” ka një luftë totale mes Real Madridit dhe revistës “France Football”. Vendimi i “Los Blancos” dhe në veçanti i presidentit Florentino Perez, për të bojkotuar ceremoninë në Paris, që u kritikua ashpër në çdo cep të botës, e mërziti shumë ‘France Football’, që, që nga viti 1965 ka shpërblyer futbollistin më të mirë të botës, në bazë të votave të mbledhura të jurisë.
Kryeredaktori i revistës franceze tregoi se ndaj tij presioni nga klubi madrilen ishte tepër i madh. Por te ‘galaktikët’ zemërimi ende nuk është shuar, madje ata janë gati që të mos marrin më pjesë në asnjë ceremoni të eventit prestigjioz.
Vinicius, Ancelotti dhe delegacioni i Realit ishin gati të niseshin për në Paris të dielën, madje braziliani gjithashtu kishte lajmëruar tashmë të afërmit dhe miqtë për të festuar së bashku në kryeqytetin francez, por kur të hënën në mëngjes mësoi se Vinicius nuk do të fitonte, presidenti Perez vendosi të anulonte çdo gjë.
Numri 1 i klubit dyshon se UEFA, bashkëorganizatore e eventit kishte ndikuar në vendimin për fituesin e “Topit të Artë”. Origjina e gjithçkaje është mosmarrëveshja me presidentin e institucionit europian të futbollit Ceferin për Superligën, shpjegon Marca. Reali e admiron Rodrin dhe nuk ka asgjë kundër mesfushorit të City-t: lufta është kundër France Football dhe UEFA-s.