Ka tension dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të FNSH-së, të cilat prej disa minutash janë stacionuar te Kthesa e Kamzës, një nga 6 akset që janë bllokuar prej protestuesve të Partisë Demokratike prej orës 17:00.
Përleshjet kanë nisur pak pasi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u kërkoi efektivëve të largohen dhe të mos provokojnë qytetarët, përndryshe ata do t’i drejtohen shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në Surrel.
“Mos provokoni, tërhiquni”, ishte thirrja e mëhershme nga deputetja demokrate Albana Vokshi për efektivët, ndërsa Asllan Dogjani tentoi të shmangte përplasjen duke tërhequr protestuesi.
“Largohuni. Kam vetëm këtë thirrje. Largoni këta banditë me uniformë, në të kundërt Surreli do të jetë destinacioni i protestuesve”, tha Noka.
Ai madje i bëri thirrje Drejtorit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj të largojë policinë, përndryshe sipas tij “nuk do gjeni vend ku të futeni”.
Por, Vocaj nuk ka preferuar t’i përgjigjet duke mos reaguar, ndërkohë që policia ka ngushtuar ndjeshëm perimetrin e protestës së opozitës, teksa shkojmë drejt orë 20:00, kur edhe parashikohet që mosbindja civile të përfundojë.
/a.r