Një situatë e parecedentë është raportuar në fshatin Petrushë të bashkisë Maliq, ku dy persona u përfshinë në një sherr me njëri-tjetrin.
Shkaku i konfliktit ka qenë një marrëdhënie e dyshuar mes një burri 37-vjeçar, pronar i një stalle, dhe një 25-vjeçareje, nënë e dy fëmijëve të vegjël, e punësuar bashkë me bashkëshortin e saj në atë stallë.
Bashkëshorti i saj akuzoi pronarin për lidhje të fshehtë me gruan e tij, ndërsa hetimet kanë zbuluar edhe arsye të tjera. Sipas hetimeve, dyshohet se 37-vjeçari kishte qëllime të tjera për gruan, duke përfshirë edhe prostituimin e saj. Më parë, gruaja kishte qenë viktimë e trafikimit për prostitucion në Greqi, ku dy kushërinj të pronarit e kishin detyruar të prostituohej për një periudhë 6-mujore në Athinë.
Pas kthimit në Shqipëri, ajo dhe bashkëshorti i saj u punësuan në stallën e 37-vjeçarit. Pas marrjes në pyetje të çiftit dhe pronarit, policia dyshon se marrëdhënia jashtëmartesore kishte për qëllim rikthimin e saj në prostitucion.
Çështja, përveç veprës penale të “dëmtimeve të tjera me dashje” për 37-vjeçarin, është referuar për hetime të mëtejshme nga seksioni i trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
newsbomb.al