“Një parakalim i gabuar dyshohet se i morri jetën Bledi Sokolit teksa udhëtonte me mjetin e tij Opel, ku mbrëmjen e së dielës u aksidentua tek kryqëzimi i Treshit në aksin rrugor Lezhë-Milot. Nga ky aksident i trefishtë mbeti i dëmtuar edhe një 23-vjeçar drejtues i mjetit tjetër Ford i cili po mjekohet në spital”, raporton gazetari Martin Marku.
Banorët e zonës thonë se ky aks është i rrezikshëm. Nga një vëzhgim që Klan News bëri në rrugë shikon qytetarë që lëvizin me biçikleta apo që kalojnë me mjete bujqësore duke rrezikuar jetën e tyre.
“Kjo është e rrezikshme, me ec njeriu pa kujdes. Është shumë e rrezikshme.”
Jo vetëm kryqëzimi i Treshit është problematik në aksin Lezhë –Milot.
“Kryqëzimi i Shënkollit, Riles, dhe Ishull Shëngjinit mbeten njolla të zeza të aksidenteve rrugore në segmentin Lezhë-Milot. Mungesa e mbikalimeve, nënkalimeve apo hyrje-daljet në rrugë bëhen shpeshherë shkak për aksidente të shumta. Shumica e aksidenteve rrugore ndodhin edhe për shkak të pakujdesisë së drejtuesve të mjeteve, por të udhëtosh në këtë aks rrugor është e rrezikshme edhe për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë rrugore”, shprehet gazetari Martin Marku.
/a.r