Nga av Gurali Brahimllari
Duke marrë shkas nga ngjarjet SENSITIVE të kohëve të fundit, do të doja të ndaja opinion, si ish gjykatës i krimeve të rënda, në raport me SUKSESET e drejtësisë së re për disa prej çështjeve proceduriale, thelbësore, të drejtën e të pandehurve për procesin e rregullt ligjor.
– Sipas procedurës së ndjekur nga “drejtësia e vjetër”, gazetarët janë kosderuara si “aleate” të gjykatës për të evidentuar zvarritjet e proceseve gjyqësore, sot, drejtësi e re, nuk i pranon në sallë, i ka lënë jashtë “portës”, në pritje të ndonjë “personi vip” që pyetet nga SPAK apo merret i pandehur prej tij, pa u ndalur tek rasti z. Qyno, per te cilin pritet që Gjykata Kushtetuese të japë vendim në datën 12 Dhjetor.
-Ndërsa “dje” Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk mund të përfshinte në dosjen hetimore thenie të përsonave të dhëna në intervista para gazetarëve, sot, sipas drejtësisë së re, këto intervista janë të afta të përdoren si provë për të justifikuar dyshimin e arsyeshëm për mbajtjen në burg edhe të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Sipas procedurës së zbatuar nga drejtësia “e vjetër”, nuk kanë munguar raste kur Prokurorët e Krimeve të Rënda janë larguar me urdhër të gjykatës nga seanca gjyqësore, për shkelje të etikës dhe solemnitet në gjykim, ndërsa sot Gjykatësit e Posaçëm janë nën presionin e SPAK sepse survejohen nga oficerët e BKH për komunikimet telefonike të tyre dhe të familjarëve të tyre, duke vene në dyshim kryerjen e fuksioneve të tyre me paanësi dhe sipas parimit të “barazisë së armëve” në proces.
–Sipas procedurës së ndjekur “dje”, Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk merrte “guximin” që të kërkonte sekuestrimin e pasurive të Personave të Trete, bazuar në dispozitat e ligjit procedurial, ndërsa sot “drejtësia e re”, jo vetëm që cakton “Sekuestro preventive” ndaj pasurisë së qytetarëv apo personave juridik, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me veprën penale të kryer nga të pandehurit, por plotëson statistikat e vlerave të pasurive të konfiskuara sepse duke shkelur të drejtat personit tëv tretë në mirëbesim, disa prej Gjykatësve të Posaçëm arrijnë të shkelin edhe të drejtën kushtetuese që këta persona të dëgjohen dhe të mbrojnë interest e tyre në procesin penal.
-Ndërsa drejtësi e vjetër nuk kishte komplekse për të pranuar në proces palën e dëmtuar nga vepra penale(edhe pse padia civile rrallë është shqyrtuar në gjykimin penal), drejtësia e “re” është e prirur te shkelë çdo të drejtë të personave të Trete sepse pranon pa hezitim kërkimin e Prokurorisë për konfiskimin e pasurisë së këtyre personave, të cilat as nuk i njofton dhe as nuk i pranon si “viktimë” apo palë e dëmtuar në procesin penale. Për rrjedhojë janë të shumtë rastet e qytetarëve, pasuritë e të cilëv, të fituara në MIRËBESIM (tokë, apartament) jo vetëm u janë konfiskuar, duke kaluar në favor të shtetit, por as nuk prohen, askund, për të kërkuar të drejtën e tyre. Justifikimi është standard, por krejt absurd: Personat në fjalë nuk konsiderohen Viktimë, prandaj nuk pranohen si palë në procesin penal që zhvillohet kundër të pandehurve, (të cilat janë gjendur fajtor kryesisht për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe/ose për shpërdorim detyre).
– Sipas përmbajtjes së ligji “antimafia” dhe zbatimit të tij nga drejtësia e “vjetër”, efektet shtriheshin për pasurite e krijuara nga çasti që Prokuroria e Krimeve të Rënda, provonte, edhe me indicje, pjesëmarrjen e Subjektit në një veprimtari konkrete kriminale (për të cilat ligji lejonet sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive), ndërs sot, drejtësia “e re”, del mbi vullnetin e ligjvënësit, duke konfiskuar edhe pasuritë që janë krijuar nga ky persoan apo familjarët e tij, shumë vite më pare, pa patur asnjë lidhje me veprimtarinë kriminale të kryer më pas nga subjekti i këtij ligji (madje ka ndodhur që kjo pasuri e rkijuar vite më parë, u merret fëmijve, trashëgimtarë të subjektit që ka ndërruar jetë dhe nuk përbën më asnjë rrezik për shoqerinë)
– Sipas procedurës së ndjekur nga Gjykat e Krimeve të Rënda aktet shkresore të strukturave të inteligjencës sekrete nuk janë pranuar si PROVE, ndërsa sot, “drejtësia e re”, dërgon për ndjekje penale të gjith zinxhirin komandues të Drejtorisë së Policisë në Shkodër për shpërdorim detyre, mbi bazën e thashethemeve të “raporteve sekrete” të paverifikuara, te një punonjësi të AMP.
– Sipas procedurës së ndjekur nga gjykatësit e Krimeve të Rënda, në çështjet e lidhura me bashkëpunim ndërkombëtar, është kërkruar prej autoriteteve të huaja gjyqësore që të respektohen përcaktimet e legjislacionit shqiptar (lidhur me formulën e betimit të dëshmitarëve, apo procedurën e njoftimit të të pandehurit dhe e pyetjes së tij etj), ndërsa sot, drejtësia “e re”, pranon diskriminimin e autoriteve të huaja, të cilat nuk i përgjigjen as plotësimit formal të kërkesave të autoritetve tona për dërgimin e akteve më thelbësore të procesit penal, por mjaftohen të ekzekutojnë letërprosinë, vetëm me dërgimin e një CD, me përmbajtjen e rezultateve të përgjimeve masivetë kryera vitye më parë prej tyre.
-Sipas procedurës së zbatuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda (drejtësi e vjetër), janë pranuar në gjykim TRASKRIPTET e përgjimeve edhe të marra nga një procedim tjetër, i huaj, por vetëm në kushtet kur është verifikuar se janë përftuar në përputhje me procedurën e parashikuar nga dispozitat proceduriale që disiplinojnë përgjimin në Republikën e Shqipërisë, ndërsa sot drejtësia “e re”, mban të dyshuarit në paraburgim, me SUPOZIME se këto transkripte janë gjetur në serverin e paltformës përkatëse, se janë prova të ftohta, prova me dokument etj. Madje kjo qasje vijon edhe pse nga GJED u konfuirmua se këto transkripte janë rezultate të përgjimeve telefonike dhe përdorimi i tyre si provë kushtezohet nga mënyra e formimit të tyre në raport me legjislacionin e brendshëm dhe me parimet e njohura ndërkombëtare.
Me këtë rast, për të zbehur kakofoninë e “analisteve “ që ose nuk lexojnë, ose qëllimisht duan të deformojnë, së fundi qëndrimin e Gjykatës së Strasburgut, po sjell për opininion publik definicionin e kësaj Gjykate, në çështjen e paltformave të koduara, të bazuara në internet, (EncroChat dhe SkyECC), të datës 24 Shtator 2024, ku përcakton se: “.. Ndërsa është e saktë që të dhënat e ndara me autoritetet britanike iu nënshtruan një analize që ka mundësuar identifikimin e një numri të caktuar individësh dhe që janë përdorur si provë nga autoritetet britanike në kuadër të procedimeve të nisura në Mbretërinë e Bashkuar – FAZA KËTO PADYSHIM NGA MË TË PALIGJSHMET NË PROCES .. -, këto veprime/akte nuk figurojnë në kërkesat e parashtruara/drejtuar Gjykatës.”
Kushdo që do të mund të kuptojë këtë paragraf dhe është njohur, në tërësi, me vendimin e bërë publik në datën 17/10/2024, do të arrijë në përfundimin se Gjykata e Strasburgut, tashmë, e ka dhënë verdiktin e saj, edhe pse nuk i ka patur objket shqyrtimi problemtikat që lidhen me papërdorshmërinë si prova, të transkripteve të dërguara nga autoritet Franceze apo me paligjshmërinë e procesit të identifikimit të abonenteve të Sky ECC.
Madje kujtojmë se Gjykata Kushtetuese, në Vendim nr. 18 datë 19.03.2024, ka pranuar efektin e drejtpërdrejtë të jurisprudencës së GJEDNJ, kur ka theksuar se “ …në interpretim të neneve 5, 116, 122 dhe 17/2 të Kushtetutës, duke vënë theksin në statusin e veçantë që ka KEDNJ-ja në rendin e brendshëm ligjor, ka njohur kompetencën ekskluzive të GJEDNJ-së në sistemin tonë juridik dhe efektin e drejtpërdrejtë të vendimeve të saj në interpretimin e standardeve kushtetuese të të drejtave të njeriut…. Katalogu i të drejtave të parashikuara në KEDNJ ka statusin e standardit minimal për sa u takon kufizimeve të të drejtave dhe lirive të shprehura në Kushtetutë. Për këtë arsye, Gjykata ka pranuar efektin e drejtpërdrejtë të vendimeve të GJEDNJ-së në interpretimin e standardeve kushtetuese për të drejtat e njeriut, duke iu referuar në mënyrë të vazhdueshme atyre në jurisprudencën e saj.”
Duke përfunduar, theksoj se problematikat në shkelje të normave proceduriale dhe të parimeve kushtetuese, të lejuara nga “drejtësia e re”, duhet të korigjohen, jo vetëm për shkak se nuk duhet të shkelin asnjë të drejtë që mbrohet nga Kushtetuta, pa garantuar të drejtën për procesin e rregullt ligjor, por edhe sepse një pjesë e rëndësishme e këtyre vendimeve do të verifikohen si nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, edhe nga Gjykata e Strasburgut, dhe në rast të prishjes së vendimeve, vlerat financiare do të shlyhen nga taksapaguesit shqiptar.