Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Martin Tusha, me detyrë përmbarues, i dyshuar për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Ai dyshohet se i ka marrë një shtetasi shumën 9 milionë lekë të reja, të cilit i takonin në bazë të një vendimi gjykate.
Mesditën e së Hënës, i dyshuari Tusha është arrestuar nga ana e forcave të Policisë së Tiranës.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në bazë të hetimeve të deritanishme, rezulton se shtetasi S.M., ka përfituar shumën 41 milionë lekë për shkak të prishjes së një kontrate me Ministrinë e Energjitikës. Kallëzuesi ka tërhequr një pjesë të parave drejtëpërdrejtë, ndërsa pjesa tjetër, rreth 20 milionë lekë të reja, do t’i ktheheshin me këste. Për t’u marrë me procedurat përmbaruese, kallëzuesi S.M., ka kontaktuar përmbaruesin Martin Tusha. Ky i fundit ka kryer procedurat për një pjesë të parave, duke i dhënë kallëzuesit rreth 11 milionë lekë. Në bazë të llogaritjeve, kallëzuesi duhet të merrte edhe 9 milionë lekë dhe për këtë arsye ka pritur veprimet proceduriale nga përmbaruesi. Pasi ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk ka marrë përgjigje nga përmbaruesi, kallëzuesi S.M. është interesuar personalisht pranë Ministrisë së Financave, nga e cila ka marrë konfirmimin se ishte likujduar tërësisht dhe shuma e mbetur, 9 milionë lekë, i ka kaluar në llogari përmbaruesit.
Në bazë të hetimeve të deritanishme, rezultoi se përmbaruesi Martin Tusha kishte tërhequr shumën 9 milionë lekë, të cilat i kishte përdorur për qëllime të tijat.
Ai ka deklaruar për autoritetet hetimore se këtë shumë parash e ka marrë në formë borxhi prej kallëzuesit, i cili nga ana e tij nuk ka pasur asnjë dijeni që i ishte lëvruar pjesa e fundit e detyrimit ndaj tij.