Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave Edmond Panariti deklaroi të hënën se, janë zhbllokuar eksportet e produkteve bujqësore shqiptare me Maqedoninë.
Në një intervistë për mediat, sipas ATSh-së, ministri Panariti njoftoi se “tashmë kamionët e bllokuara do të kalojnë, ndërsa ndalimi i tyre në kufi ka qenë pa asnjë arsye”.
“Kontaktova me Ministrinë e Ekonomisë të Maqedonisë, dhe tashmë 5 kamionët shqiptarë kanë kaluar doganën”-tha Panariti.
Ndërsa vuri në dukje se, sot në mbledhjen e qeverisë maqedonase do të diskutohet problemi i bllokimit të kamionëve shqiptarë në kufi.Ministri Panariti theksoi se, pas analizave të kryera, prodhimet tona bujqësore rezultuan të pastra.
“Të zbatojmë marrëveshjen e tregtisë së lirë për të mos krijuar pengesa në qarkullimin e mallrave bujqësore. Mosrrespektimi i kësaj marrëveshje krijon dëme të pallogaritshme te fermeret dhe tregtarët, të cilat nuk mund të respektojnë kontraktat e lidhura paraprakisht”-tha Panariti.