Lionel Mesi nuk është më. Kristiano Ronal do gjithashtu. Por “El Clasico” e futbollit spanjoll mbetet sërish në majën e gjuhës së të gjithëve. Ndoshta “El Clasico” nuk ia ka më nevojën dy prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit botëror.
Të tjerë lojtarë, me talent e ambicie janë shfaqur në skenë për ta rikthyer sërish në skenë me të gjithë madhështinë dhe shkëlqimin e saj përballjen më të madhe të futbollit spanjoll. “El Clasico” rimerr të gjithë shkëlqimin e vet me rikthimin e imazhit më të mirë të Barcelonës falë angazhimit futbollistik të Hansi Flik, i cili përballet me sfidën më të madhe në shtëpinë e kampionëve të Spanjës në fuqi.
Një Real Madrid dominues në kapitujt e fundit, i cili, pasi i bëri një çmenduri në mesjavë në Champions, synon të “vrasë” rivalin e tij të përjetshëm për lidershipin e kampionatit spanjoll. Beteja e parë mes Ançelotit dhe Hansi Flik në stolat përkatës, në një ndeshje ku bota ndalet për 90 minuta. Një klasike me portierë zëvendësues, pa faktorin vendimtar nën emrat e Tibo Kurtua e Ter Shtegen, të dy të dëmtuar.
Për të kaluar te beteja braziliane, mes Vinicius dhe Rafinjës për të vendosur se kush është më i miri i momentit. E veçanta e të dyve është se vijnë në këtë përballje pasi shënuan nga tri gola secili në mesjavë në Champions! Por është klasikja e parë edhe për Kilië Mbape. Apo dëshira e madhe për të shkëlqyer përsëri si e Bellingamit, autor i tre golave në dy klasiket e para të tij në La Liga në sezonin e kaluar.
Uria e Lamin Jamal (17 vjeç)për të pushtuar “Santiago Bernabeu”-n. Kaq shumë stimuj në një “shejker koktejli” për të shijuar një pije nga spektakli më i mirë i futbollit në La Liga. Me një Real Madrid që ka në dorën e tij të barazojë rekordin historik të Barcelonës prej 43 ndeshjesh radhazi pa humbje në Liga, një seri e pafund që nisi fill pas humbjes në “Metropolitano” më 24 shtator 2023. Nuk do të jetë rekordi i vetëm i mundshëm për skuadrën madrilene, e cila nëse fiton do të barazojë serinë e dytë më të mirë të fitoreve të njëpasnjëshme në një “El Clasico”, pesë.
Klasikja prezantohet edhe si një duel taktik emocionues. Me Ançelotin që fërkon duart nëse Flik ruan guximin për të propozuar një linjë mbrojtëse të avancuar, duke pasur parasysh rrezikun që kjo sjell ndaj futbollistëve të shpejtë të profilit të Vinicius dhe Mbape. Por edhe i shqetësuar për rikuperimin e forcës mbrojtëse që u shemb kundër Dortmundit, në një ndeshje që dëshiron ta kthejë në një pikë kthese.
Një situatë që mund të çojë Ançelotit në kthimin te 4-4-2 klasike, ose me një mesfushë në formë rombi me Bellingam pas dyshes Vinicius-Mbape. Këtu futet dhe forcimi i mesfushës në të cilën shanset e Luka Modriç për të qenë titullar janë zbehur, për t’i lënë vendin fuqisë fizike të çiftit francez Tçuameni-Kamavinga si një antidot për motorin e katalanasve. Barcelona, pasi mposhti “macen e zezë” europiane, Bajern Mynih (4 1), në Champions League, dëshiron të konfirmojë se është sërish në mesin e të mëdhenjve me një fitore prestigjioze në Klasiken e parë të epokës së Flik.
Trajneri gjerman, i cili një javë më parë barazoi rekordin e Tata Martinos me shtatë fitore në shtatë ndeshjet e para të La Liga-s, dëshiron të imitojë edhe një herë trajnerin argjentinas, i vetmi trajner i Barcelonës që ka fituar Klasiken e tij të parë në njëmbëdhjetë vitet e fundit. Që nga 26 tetori 2013, kur Barça e tij mposhti Realin e drejtuar nga Ançeloti 2-1, po ashtu debutues në këtë lloj ndeshjeje, Luis Enrike, Ernesto Valverde, Kike Setien, Ronald Kuman dhe Ksavi Hernandez të gjithë kanë provuar të mundin Realin në ndeshjen e tyre të parë, por pamundur.
Skuadra po i përgjigjet dhe Flik ka arsye të mendojë se mund ta thyejë mallkimin. Skuadra po funksionon si një makinë e vajisur në mënyrë perfekte. Për më shumë ai ka në dispozicion treshen më të mirë në Evropë. Levandovski, Rafinja dhe Jamal së bashku kanë shënuar 29 nga 43 golat që Barça ka shënuar në 13 ndeshjet e para zyrtare të sezonit. Dhe ka të ngjarë që trajneri gjerman të përsërisë të njëjtin formacion titullar si ai ndaj Bajernit, pa harruar që dhe Dani Olmo është gati.