Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dërgoi për gjykim në GJKKO ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi dhe tre pjesëtarë të grupit kriminal, Besjan Ramaj, Leonard Ramaj dhe Ardjan Malasi.
Dashi është përfshirë në disa veprime të kryera pas vitit 2018, thekson SPAK, në bashkëpunim me të pandehurit Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasi.
“Veprimet e tyre kanë konsistuar kryesisht a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme; b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave; d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dh) përdorimit të shoqërive tregtare, përmes lëshimit të faturave fiktive për të transferuar lehtësisht paratë.
Përgjatë kësaj veprimtarie kriminale rezulton të jetë përdorur kryesisht paraja në dorë, e cila është integruar në shoqërinë “Ledio 04” sh.p.k me ortak dhe administrator, të pandehurin Ardjan Malasi, për t’u investuar më pas në pasuri të paluajtshme, e shoqëruar me kryerje të veprimeve dhe transferimeve të shumta bankare të vlerave monetare nga llogaritë e shoqërisë tregtare në atë personale dhe anasjelltas, duke u përfshirë në kryerje të veprimeve fiktive juridike, si huadhënie, shitblerje të pasurive të paluajtshme, apo transferim të këtyre pasurive”, sipas njoftimit të SPAK.
Shuma e parave të përfshira në veprimtarinë kriminale të pastrimit të produkteve të veprës penale rezulton të jetë afro një milion e dyqind e pesëdhjetë mijë euro dhe nëntëmilion lekë.
Sipas SPAK, të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre tregojnë se të pandehurit kanë paramenduar mënyrën e të vepruarit, kanë patur vazhdimësi në veprimtarinë e tyre, duke u përfshirë në kryerje të veprimeve të shumta juridike dhe transaksioneve financiare, duke vepruar kështu në kuadër të një bashkëpunimi të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim përfitimin material.
Dijenia e tyre mbi origjinën e paligjshme të pasurive dhe të të ardhurave rezulton e provuar për të pandehurit Besjan dhe Leonard Ramaj si të përfshirë edhe në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, ku janë gjeneruar të ardhurat e kundërligjshme dhe për të pandehurin Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi nga rrethanat faktike, si përfshirje të tyre në kryerje të veprimeve juridike haptazi fiktive, si dhe në veprime të tjera të kryera gjatë investimit në pasuri të paluajtshme të të ardhurave që dihet që kanë origjinë të paligjshme apo veprime të tjera juridike të kryera në lidhje me to.
Sipas akteve të dërguar nga autoritetet e drejtësisë belge, përmes letërporosisë dhe nga hetimet e kryera në lidhje me të dhënat e përftuara nga këto akte rezulton se të pandehurit, Besjan Ramaj dhe Leonard Ramaj, vëllezër mes tyre janë dënuar nga autoritetet belge në vitin 2021 për vepra penale të lidhura me narkotikët, ndërsa i pandehuri Besjan Ramaj rezulton të jetë dënuar për vepra të njëjta penale në vitin 2012, nga autoritetet e drejtësisë norvegjeze.
Përgjatë hetimeve të kryera, rezulton se i pandehuri Besjan Ramaj, të paktën prej vitit 2010 në bashkëpunim të veçantë me të pandehurin Leonard Ramaj (vëllai i tij), Ardjan Malasi (i njohuri i tij) kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, përmes investimit në pasuri të paluajtshme, kryerjes së veprimeve për shitblerje dhe transferim në vazhdimësi të pronësisë, si dhe përmes lëshimit të faturave fiktive nga shoqëritë tregtare të tyre për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023.
Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar më herët dhe është kërkuar konfiskimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për:
1. 12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit;
2. 1 (një) dyqan prej 300 m 2 në qytetin e Fierit;
3. 1 (një) pasuri e paluajtshme, ullishte, me sipërfaqe 5.200 m, ndodhur në Mallakastër;
4. 4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës;
5. 3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;
6. 1 (një) shoqëri tregtare;
7. 2 (dy) automjete.
Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi akuzohen për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 287/1 dhe 28/4; “Grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/1/2 dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 të Kodit Penal.
Kurse Rajmonda Dashi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287/2 të Kodit Penal.
/a.r