Nga Shpëtim Luku
L.M është një qytetar dhe ekonomist i njohur tiranas, i cili një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka shpenzuar si zyrtar korrekt e i ndershëm në institucione të ndryshme shtetërore. Për të arritur deri në detyrën e zv. Ministrit për disa vite. Mirëpo, ndërsa koha e shpenzuar në këtë post të lartë qeveritar duhet të ishte krenari e ligjshme për të, si maja e karrierës së tij si zyrtar publik, në të vërtetë ajo periudhë e bën të ndihet keq atë. Duket si paradoksale, por është e vërtetë. Sepse periudha kohore e të qënit zv. Ministër është ndërkohë një periudhë pune e humbur. Që nuk gjendet në dokumenta. Kur i është dashur të dalë në pension për arsye të mbushjes së moshës, mos gjetja në regjistrat përkatës të viteve të punës në Ministrinë kur ai ishte numri 2 i saj bënë që atij këto vite ti humbnin. Shtoji kësaj edhe disa humbje të tjera të kësaj natyre nga veprimtaria e tij nëpër kompani private mediatike ku ka punuar në detyra drejtues dhe rezultati ishte një pension i ulët.
U ndalëm tek ky rast pasi ai është shumë domethënës që ilustron më së miri se si ka funksionuar shteti dhe shoqëria shqiptare përgjatë gjithë këtyre 30 viteve të tranzicionit. Kur vitet e punës i kanë humbur prej shtetit edhe një ish zyrtari të lartë të saj, imagjino sa pa efektivitet e sa në anarki ka funksionuar shteti shqiptar. Personazhi që iu referuam është njëri nga viktimat e shumta të një bombë sociale që është përgatitur ndër vite në mënyrë graduale e sistematike e që tashmë ka nisur shpërthimin e saj. Mënyra se si u “ndërtua” kjo bombë sociale ishte vjedhja e kontributeve shoqërore të punonjësve, të cilët detyroheshin të punonin të pasiguruar, ndërkohë që shteti shqiptar, institucionet e korruptuara të tij, lejonin punëdhënësit shqiptare të aplikonin në masë punën e zezë. Vjedhja e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve përbënte një burim të rëndësishëm pasurimi për pronarë kompanish dhe përhapja në masë e saj u shoqërua me uljen e numrit të kontribuesve, të raportit kontribues- përfitues. Duke shkuar deri në raporti 1.1:1. Pra për një përfitues kishte ë 1.1 kontribues.
Dy ishin rezultatet negative. E para, që pensionistët e kohës kur puna e zezë lulëzonte kanë marrë pensione qesharake si rrjedhojë e defiçiteve të mëdha të krijuar në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Dhe e dyta, përgatitja e një ushtrie pensionistësh të së ardhmes, të cilët, pse nuk do përfitonin pension fare, ose ai pension do të ishte qesharak. Dhe ja ku vitet kaluan dhe shifrat tregojnë se tashmë ka ardhur koha për t’u ballafaquar me atë çfarë është gatuar në të kaluarën. Sot, ata që dalin në pension e kanë shumë të vështirë të plotësojnë numrin e viteve për të përfituar pension të plotë. Statistikat tregojnë se një pensionist që del sot nga 37 vite punë, plotëson mesatarisht 27 vite. Po kështu, edhe subvencionimi i buxhetit të sigurimeve shoqërore nga shteti ka ardhur dukeu zvogëluar, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të shëndoshjes së financave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, por sepse pensioni me të cilin dalin sot njerëzit është i ulët, pikërisht prej mosplotësimit të viteve. Një pensionist i vitit 2023 ka marrë një pagesë pensioni prej rret 15 mijë lekësh që është edhe më e ulët se mesatarja e pensioneve. Nga ana tjetër, afro 50 për qind e pensioneve të vitit 2023 janë pensione të pjesshme, cka tregon pra se ky kontigjent pensionistësh nuk ka mundur të plotësojë kushtet ligjore për të përfituar pension të plotë. I bindur që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu, kryeministri Edi Rama ka bërë apele të forta dhe ka paralajmëruar masa të ashpra për të gjithë ato kompani e ata biznesmenë që nuk paguajnë sigurimet shoqërore të punonjësve për rrogat reale të tyre. Madje ka premtuar se këto raste do të trajtohen njësoj sikurse ndodhi me qytetarët që nuk paguanin energjinë elektrike. Fokusimi në këtë problematikë e me këtë ton është i drejtë. Por sërish mbetet aktuale pyetja se pse duhej të pritej deri në vitin 2025, që energjitë e shtetit shqiptar të përqëndrohen në reduktimin dhe çrrënjosjen e një prej krimeve më të shëmtuara të realizuara gjatë këtyre viteve: vjedhjen e punonjësve prej pronarëve të kompanive dhe krijimin e kontigjenteve të tëra njerëzish të mjerë në moshën kur njeriu ska më fuqi e mundësi për korigjim e reflektim.