Ministria e Brendshme e Italisë ka mandatuar zyrën e Avokatit të Shtetit që të apelojë vendimin e tribunalit të Romës për kthimin e 12 emigrantëve nga qendra pritëse e Gjadrit.
Vendimi i 18 tetorit u mor në ekip nga gjykata e kryeqytetit me në krye gjyqtaren Silvia Albano. Gjykata e Romës urdhëroi që emigrantët e huaj të kthehen, pasi vinin nga vende jo të sigurta. Ata u transportuan me anijen “Libra” të marinës italiane drejt Shqipërisë.
Për të zgjidhur ngërçin e krijuar, qeveria italiane këtë javë miratoi të ashtuquajturin “dekretin për Shqipërinë”, ku renditen 19 vende të sigurta. Kërkesat për azil të emigrantëve që vijnë nga këto vende mund të trajtohen në qendrat e ngritura në Shqipëri.
Ndër vendet e sigurta, dekreti rendit Shqipërinë, Algjerinë, Bangladeshin, Bosnjë-Hercegovinën, Kapo-Verden, Bregun e Fildishtë, Egjiptin, Gambian, Gjeorgjinë, Ganën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Marokun, Malin e Zi, Perunë, Senegalin, Serbinë, Sri-Lankën dhe Tunizinë.
/a.r