Nga Ben Andoni
Arrestimi spektakolar i Ilir Metës po harrohet sikur të mos kishte ndodhur fare! Me sa duket, propaganda e kishte futur në burg shumë kohë më parë, kurse njerëzit edhe shumë kohë para saj. I vetmi që me sa duket se kuptonte realitetin ishte vetë ish-kreu i shtetit Ilir Meta.
I njëjti fenomen ndodh tashmë me politikën sot, që nuk e kupton më realitetin e saj. Të mjafton të shikon shenjat e sotme, që përshfaq PD-ja, të arrish e të kuptosh sesi do të jetë nesër në pushtet. Ashtu, si nga ana tjetër, e shikon sesi po drejton PS-ja me njerëzit e saj, që kanë zënë vend për burg dhe, kupton njerëzit e pushtetit të 13 viteve të fundit. Fryma e mosbesimit që tregon ndaj çdo gjëje PD-ja dhe njerëzit pranë, po tregon mirëfilli sesi do të jetë nesër në pushtet: E ashpër, me një fjalor të hidhur dhe poshtërues, e egër në mënyrën e qasjes dhe e paqartë për mënyrën e administrimit të pushtetit. Çka nuk po kuptohet sot në të gjithë aksionin e saj prej tyre mbetet se pakkujt i bën përshtypje përçarja e saj, apo metamorfozat qesharake të një pjese të anëtarëve të saj, ku grupi që mbrojti Godinën me 8 Janar është bërë gati meme me metamorfozën pro-Berishë. Si pasojë, pakkush ua miraton tashmë djegiet dhe përçudnimin e parlamentit njerëzve “të bashkuar” të Berishës. Bashkë me ofendimet që ngrenë dhe sidomos stigmat e pandala. Do mjaftonte arsenali ofendues i kreut të PD-së Berisha ndaj delfinit të vet Basha, që ndaj tij (ky i fundit po del se edhe kur e largoi nga PD-ja, kryetarin legjendë nuk është se e kishte shmangur) të derdhej fjalë në fjalë i gjithë mali i akuzave dhe ofendimeve nga vartësit. Si në një kor, madje deri edhe në qasje publike, njerëzit e PD-së përsërisnin të njëjtën gjë.
Pak dekada më parë, e gjithë propaganda komuniste e nisi kështu narrativën e vet ndaj “të këqijve”, kulakëve dhe armiqve të shumtë imagjinarë. Pasojat dihen: Deri edhe fëmijët më të vegjël në vitet ’50 deri në ’90, e rrënjosën në mendje “armikun” ose fatkeqët që ndiheshin “armiq”. Kjo ishte paradhoma e tmerrit për një pjesë së të ashtuquajturve armiq, pasi shumë shpejt mbetën pa asnjë të ardhur, një pjesë bajagi e mirë në burgje, kurse të tjerë të përçudnuar përballë një shoqërie memece. Me të njëjtën filozofi veprimi, sot, një pjesë e PD-së konsiderojnë kundërshtarin e tyre. Simbolika e armikut që jo pak herë u kthye në makth dikur, te PD-ja e sotme armiku i sotëm është shndërruar në objekt të mllefit. Grupet e para që dolën nga PD-ja, drejtuar nga Zogaj dhe Ceka do e mbajnë mend gjatë urrejtjen ndaj tyre, pa harruar atë që pësoi Pashko prej urrejtjes së turmës PD-iste. Një pjesë e atyre që duartrokisnin dhe i tallnin këta, pak vite më vonë do të ishin vetë pjesë e ofendimeve, kur dilnin nga rreshti. Në ditët tona Gjekmarkaj, Bardhi dhe Tabaku ishin të ashpër pasi e ndjenin fenomenin, që për hir të së vërtetës e prishën po vetë prej mungesës së kurajës duke u bashkuar me Berishën. Apeli i Markut dhe Kadillit tashmë janë në analet e tyre historike!
Tek PS-ja nuk është aq problem! Ka një narrativë, që e besojnë zëshëm militantët e tyre, se zgjedhjet tona nuk janë më të mirat, por mbeten të tilla, sepse i bëjnë ata dhe i fitojnë ata. Aman, rasti i fundit me arrestin e Çapjes, filtrimi i të cilit si deputet, po tregon realisht se çfarë është simbolika e PS-së në vetvete për njerëzit që mban pranë dhe ata që i përcjellin në poste. Është si anekdotë, por mjafton të shikoj pak hidhur Rama dhe e ke marrë udhën, të thonë pa zë tek PS-ja! Ashtu si e gjithë administrata e lartë mbetet me vetëm një kriter: Je i pëlqyeshëm për kryeministrin apo jo?! Nëse jo, atëherë prit pasojat. E kanë parë këtë para syve një pjesë e Ekzekutivit, që u janë harruar dhe emrat kur kanë lënë detyrat, ndërsa dikur thjesht ngrinin dorën për çdo akt të Ramës. Simbolika është e shtrirë edhe tek njerëzit që përcjellin tashmë mesazhet politike me bluzat “Free Berisha” apo pjesa festive te PS. “Historia e vonë e komunizmit, në kohën kur askush nuk besonte më te revolucioni, ofron një mësim final mbi simbolet. Edhe kur shtetasit janë të demoralizuar dhe duan të lihen të qetë, simbolet publike mund të ushqejnë një regjimi tiranik”, apelon në një ese historiani amerikan Snyderm, ndërtuar për të lajmëruar tiraninë e re politike në ditët tona. Por si ka mundësi që kjo nuk kapet te njerëzit?! Si ka mundësi që historia na mëson kaq pak?! Hegeli në këtë rast kishte vërtetë të drejtë: “Historia na mëson neve se njeriu nuk mëson asgjë nga historia”.
Paradoksalisht, regjimi ku jetojmë nuk është tiranik, por është demokratik. Është vërtetë shumë larg përfytyrimit të një demokracie të vërtetë, por gjithsesi është demokraci. Këtu vjen mësimi i madh, që tek Partia Socialiste është e vështirë të mësohet sepse e para janë të dehur me pushtet, por e dyta më e rëndësishmja është se janë pasardhës të një partie, që elementë të saj, nuk kanë pasur fare siklet ta pohojnë: si vazhdues të PPSH-së. Nuk u bën përshtypje fakti i arrestimeve të elementëve të ndryshëm të saj, ashtu si nuk u bën më përshtypje asgjë që lidhet me ta. Përpjekja publike që u kërkon të marrin përgjegjësi nuk ngre peshë nga përulja e frikshme ndaj Njëshit. Kurse te PD-ja tashmë “e unifikuar” shqetësimi është i lidhur me mënyrën sesi e paraqesin demokracinë. Narracioni për një regjim të ashpër si ai i Ramës i shkon shumë asaj që duan ta bëjnë publikun të mendojë se po jeton më të zezën, ashtu si kumton çdo mbrëmje Berisha, ndërkohë që problemet e këtij të fundit me Drejtësinë mbeten aq të mëdha. Dhe, ajo që e shushat publikun para këtij paradoksi është fare e thjeshtë, kë duhet të besojë? Cila nga narrativat e dy partive tona mund të jetë alternativë më e mirë? Demokracia në Evropë na jep një mësim të madh, që Haveli në një nga esetë më të njohur, bërë në kohën e komunizmit, e trajtoi si temë: “Po çfarë ndodh nëse askush nuk e luan lojën?” Që do të thotë se çfarë bëhet nëse ka kaq symbyllje para pushtetit të socialistëve apo shkuarje të një pakice verbërisht pas Berishës?!
Asgjë në fakt. PD-ja ka frikë të marrë përgjegjësi sepse nuk tregon apo nuk merr përgjegjësi edhe në opozitë apo të përshfaqë ndryshimin pasi duket se i frikësohet sinqerisht pushtetit, kurse PS-ja është e tejngopur me të. Të dyja dinë vetëm refrenin, që tashmë është bërë bajat: Vetëm ne drejtojmë! Dhe, cili vallë është i zoti të marrë përgjegjësinë? Kjo është ajo që ndan në demokraci: Secili duhet të marrë përgjegjësi! Në rastin e Metës, ngjarjes të madhe të orëve të fundit, përgjegjësia ka mbetur jetime si nocion, sepse ai dhe bashkëshortja e tij nuk pranojnë asgjë të drejtësisë, paçka se parashikimi për të mbetet i hidhur. Kjo e ka ulur sot si pak herë vlerësimin për politikanët e dy krahëve. Ish-sekretari i shtetit Kisinger e thotë më përmbledhtaz, por në kushte të vendeve disi më demokratike: “Nëntëdhjetë për qind e politikanëve i japin dhjetë përqindëshit të tjerë një reputacion të keq”. (Homo Albanicus)