Dy të moshuarit rreth 75- vjeç, në banesën e të cilëve ra zjarr mbrëmjen e djeshme në lagjen “15 Tetori” në Fier, e kanë kaluar natën nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal Fier.
Komshinjtë tregojnë se e moshuara ishte prej vitesh e paralizuar, ndërsa dyshojnë se zjarrvënia është vënë nga djali i tyre me probleme të shëndetit mendor, i arrestuar tashmë.
Ka qenë Ilir Mehrizvani, ai që ka pikasur i pari të moshuarin teksa kërkonte ndihmë në dritare, dhe nuk ka hezituar të ndërhyjë për t’i shpëtuar edhe pse flakët ishin të furishme.
Të moshuarit ishin të traumatizuar ka pohuar ai, ndërsa thekson se fatmirësisht zjarri nuk përfshiu dhomën e gjumit ku ndodhej e shtrirë e paralizuar e moshuara, pasi në të kundërt mund të kishte humbur jetën mes flakëve.
“Doli ai plaku në katin e katërt, po bërtise “ndihmë”. Hipa lartë, por dera ishte e blinduar nuk e hap. Komshia kishte çelësin, e hapëm, më pas erdhi zjarrfikësja. Ishin të frikësuar në panik, gjithë ai zjarr i madh po u fuste në dhomë”, tha fqinji i të moshuarve.
Ndërkohë një tjetër ka treguar se gruaja kishte rreth 25 vite që ishte e paralizuar dhe është nxjerrë nga banesa me barrelë.
“Gruaja është e paralizuar, më erdhi shumë keq, ka 25 vite e paralizuar. E nxorën me barela, e pashë nga pallati. Pyeta çfarë ka ndodhur, më thanë ka vënë zjarri Tani, i biri. Është me probleme ai”, tha një tjetër banor.