Nga Ervis Iljazaj
Nëse ka një arritje të vërtetë Reforma në Drejtësi, janë padyshim pamjet apo parakalimet që bëjnë politikanët shqiptarë të niveleve të larta përpara dyerve të SPAK. Pamjet me të cilat opinioni publik shqiptar nuk është mësuar në 33 vite pluralizëm. Pothuajse çdo ditë, apo çdo javë ka ndonjë politikan që paraqitet në zyrat e SPAK dhe, kjo tani kjo është kthyer në një ritual të zakonshëm. Pamjet e fundit janë arrestimi i ish Presidentit të Republikës Ilir Meta, apo ish deputetit Jurgis Çyrbja.
Përpara këtyre pamjeve sigurisht që ka reagime dhe ndjesi të ndryshme. Të gjendur me një panoramë të re, të pamësuar më parë, edhe ndjesitë që ato përcjellin dhe përjetohen nga qytetarët shqiptarë janë të ndryshme. Disa lumturohen, disa hidhërohen, disa e bekojnë SPAK, ndërsa disa të tjerë e mallkojnë. Por ama, me këto pamje do të duhen të mësohen. Tashmë hetimi i politikanëve të nivelit të lartë në Shqipëri është kthyer në një normalitet dhe ky padyshim që është një lajm i mirë.
Këto pamje, pra, hetimi i zyrtarëve të lartë nga drejtësia, janë ngjarje normale në vendet dhe në botën demokratike ku ne aspirojmë të bëhemi pjesë, prandaj shoqëritë atje, kanë një reagim më të matur, apo më të ftohtë në të tilla raste. Sepse jeta ekonomike, sociale apo kulturore nuk varet dhe as nuk ndalon nëse politikanë të rëndësishëm hetohen apo dënohen. Ndryshe nga shoqëria shqiptare, ku çdo gjë varet nga politika, apo më keq akoma, nga disa personazhe që kanë diktuar jetën politike shqiptare për dekada.
Sigurisht në vendet demokratike nuk ka një shpeshtësi të hetimeve ndaj politikës siç po ndodh në Shqipëri, por edhe ky fenomen ka shpjegimet e veta. E para, sepse hetimet e sotshme ndaj politikës po ndodhin në këto nivele për arsye të mungesës 33-vjeçare të tyre. Me sa duket, ka ardhur momenti. Kemi kaluar nga një ekstrem në ekstremin tjetër. Nga zero hetime, në shumë hetime. Dhe e dyta, sepse dihet që politika shqiptare dhe ajo ballkanike në përgjithësi mban më shumë mëkate mbi supe se sa ajo e vendeve demokratike europiane dhe përtej saj.
E megjithatë, të hetohesh nga drejtësia nuk do të thotë aspak se je i fajshëm deri sa të shpallesh i tillë nga të gjitha shkallët e drejtësisë dhe me një proces të rregullt gjyqësor, ashtu sikurse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e përcakton. Prandaj momenti që ka ardhur, pra hetimi i politikanëve të fuqishëm nuk duhet ta bëjë aspak opinionin publik të paduruar për drejtësi dhe të nxisë drejtësinë në një revansh ndaj politikës të pakontrolluar. Momenti ku jemi sot kërkon maturi dhe qetësi nga të gjithë aktorët dhe faktorët, nëse vërtetë duhet të instalojmë një drejtësi të pavarur dhe në shërbim të shoqërisë shqiptare, siç ndodh në çdo vend demokratik.
Në këtë pikë ku ka ardhur drejtësia shqiptare, sidomos ajo e SPAK, mund të thuhet se është modeli i tretë i drejtësisë në 33 vite pluralizëm.
Në fillim të viteve 90-të, Shqipëria ka pasur një drejtësi që përdorej kryesisht për të luftuar kundërshtarët politikë. Në vitet 2000 kemi pasur një marrëveshje të gjerë të klasës politike, ku askush nuk hetohej, nga asnjëra palë. Aq e vërtetë është kjo sa për 15 apo 20 vite me radhë askush nga politikanët e rëndësishëm nuk është dënuar apo hetuar. Ndërsa sot, ne kemi të bëjmë me një drejtësi ku të gjithë mund të hetohen. Nuk ka rëndësi se çfarë posti kanë mbajtur apo kanë aktualisht.
Dhe ky model nuk ka dyshim që nuk i pëlqen klasës politike në Shqipëri, pavarësisht se hera-herës ndonjë krah merr meritat e Reformës në Drejtësi. Është e qartë se ky model i ri që kemi të bëjmë sot është një imponim që erdhi nga aleatët ndërkombëtarë të vendit tonë. Askush, asnjë politikan, nuk do të votonte një reformë, e cila, pastaj do të hetonte ata vetë. Edhe nëse e kanë votuar me 140 vota në parlament, e kanë bërë me detyrim, ose me shpresën se rrugës do të mund t’ia hedhin. Por më kot shpresojnë!