Të paktën 3 të vdekur dhe 14 të plagosur është bilanci i një sulmi të ndodhur këtë të mërkurë në Ankara të Turqisë. Ngjarja e rëndë ndodhi në zyrat qendrore të Industrisë turke të Hapësirës Ajrore.
Raportimet e deritanishme flasin për shpërthimin e një bombe në një taksi në portën e objektit, si dhe të shtëna me armë zjarri. Autoritetet vendase thanë se bëhet fjalë për sulm terrorist, që dyshohet të jetë organizuar nga grupi PKK. CNN turk publikoi këto foto që i përkasin autorëve të ngjarjes, të cilët raportohet se ishin të paktën 3.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e sigurisë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore, ndërsa punonjësit u transferuan në një strehimore për arsye sigurie.
Kjo ndërtesë konsiderohet si shumë kritike për industrinë turke të mbrojtjes dhe në të janë të punësuar rreth 15,000 persona.
/a.r