Efektivët e policisë italiane kanë arrestuar 14 persona, ndër ta 9 shqiptarë, të cilët ishin pjesë e një grupi që merrej me shpërndarjen e drogës.
Operacioni i quajtur “Amico Mio, Atto II” i mori 9 muaj kohë hetime policisë italiane dhe u zhvillua në Milano, Pavia dhe Bolonja.
Shqiptarët e arrestuar janë 38-vjeçari B.L., banues në Voghera, 40-vjeçari L.D., banues në Pietra de’ Giorgi, 28-vjeçari R.E., banues në Pavia, 43-vjeçari H.A., banues në Voghera dhe 46-vjeçari M.H., banues në Canneto Pavese.
Ndaj dy të fundit u vendos masa e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa ndaj tre të tjerëve u vendos masa arrest me burg pa afat. Sipas hetuesve, droga vinte nga jashtë Italisë dhe furnizuesit ishin shqiptarë, por nuk është specifikuar, nëse Shqipëria ishte origjina e lëndëve narkotike.
Hetimet kanë konfirmuar ekzistencën e një bashkëpunimi italo-shqiptarësh me bazë në Pavia, që tregëtonin lëndë narkotike, shkruajnë mediat lokale. Aktiviteti i jashtëligjshmëm kryhej në një bar në Belgioioso, Pavia, ku disa prej të arrestuarve takoheshin me furnizuesit e drogës për të vendosur lidhur me sasinë dhe llojin e drogës që do të blinin dhe mënyrën e dorëzimit. Lënda narkotike zakonisht shkëmbehej në Broni. Blerësit dhe furnizuesit shëmbenin çanta nga një automjet në tjetrin, shkruajnë mediat italiane.
Një prej të arrestuarve u kap në flagrancë me 50 gramë kokainë. Nga ky grup, janë arrestuar gjatë muajve të fundit edhe 7 persona të tjerë, si dhe janë sekuestruar 10,447 kg marijuanë, 220 gr kokainë dhe 103 gr hashash.