Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në “Real Story”, tha se aktualisht kemi dy modele; e majta që inkurajon SPAK-un dhe e djathta, që akuzon drejtësinë për komplot kundër saj.
Ai theksoi se në dosjet që ka në dorë e SPAK vihet re një fakt i qartë dhe i thjeshtë, që sado i vjetër ka qenë abuzimi i pushtetarëve në zyrat e shtetit, drejtësia e re e ka gjetur dhe e ka servirur para tyre si barrë fajësie.
“E majta ka thënë, ka shkuar deri në burg pa folur dhe kryetari i të majtës ka dalë dhe ka thënë: “bravo vazhdoni”, ndërkohë që kemi të djathtën, e cila flet për viktimizim, flet për një komplot kundër saj, nuk sheh fare se lista po zgjatet dhe lista është më së shumti majtas dhe jo djathtas, por unë do të thoja që ajo që është më e rëndësishëm të diskutojmë mendoj unë, se sa procedura vetë është që në rreshtat e asaj dosje, por edhe e asaj të Berishës dhe asaj të zyrtarëve të lartë të PS janë në burgje , çfarë shohim që të shpaloset, shohim një fakt, që është i thjeshtë dhe goditës, që sado i vjetër të jetë një abuzim, një shenjë, që një zyrtar ka lënë në një zyrë kur ka qenë dikur, nëse ka vullnet për ta hetuar ai kthehet dhe të godet. Ne po shohim që me një lehtësi relativisht të dukshëm, sepse zullumi në këtë vend ka qenë mbi sipërfaqen e tokës, nuk duhej kërkuar, ishte, kishte dalë.”, tha ai.
Ai shtoi se është “situatë alarmante” kur shikon që zyrtarë të lartë të shtetit janë përfshirë masivisht në shkelje të ligjit.
“Kjo dosje e Metës sot na tregon kur shtetar të këtij formati, akuzohen se e kanë shkelur me kaq lehtësi dhe kaq masivisht ligjin, atëherë situata është vërtet alarmante. Këtu duhet vullnet dhe trimëri nga ata që duan të imponojnë ligjin”, tha ai.