Operacioni antidrogë “Rrethinat” kryer nga policia e Shkodrës ka çuar në pranga katër persona paraditen e së hënës.
Uniformat blu sqarojnë se shtetasit Pajtim Lame, Bajram Bajrami, Dod Kunoraj dhe Ndue Lala (organizator i grupit) kanë qenë të implikuar si grup në kultivim, prodhim dhe shitje në doza të kanabisit.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Rrethinat”. Në kuadër të këtij operacioni u kapën në flagrancë, në vendin e quajtur “Ura e Bardhajve”, me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me vete dhe në automjet, shtetasit N. L., 43 vjeç, P. L., 41 vjeç, B. B., 23 vjeç dhe D. K., 40 vjeç, të katërt banues në Shkodër”, njofton policia.
Gjithashtu, dyshohet se Ndue Lala pastron paratë apo produktet e përfituara nga këto veprimtari kriminale.
Katërshja në fjalë u arrestuan në flagrancë, ndërsa ju sekuestrua edhe një sasi lënde narkotike dhe automjeti tip “Mitsubishi” me të cilin lëviznin.
/a.r