Një skandal është regjistruar në Greqi dhe në qendër të tij qëndron ekipi shqiptar “Çamëria” që përfaqëson vendin tonë në turneun ndërkombëtar të minifutbollit 5×5 po zhvillohet në ishullin e Kretës nga data 17-20 tetor.
“Çamëria” supozohej të ishte pjesëmarrëse në Socca Champions League, ashtu siç ka marrë pjesë rregullisht në kompeticionet joprofesioniste, nën drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Socca Albania, që përfaqëson Shqipërinë në Socca International.
Ditët e fundit, ekipi shqiptar i drejtuar nga trajneri Irtan Sejko ka luajtur në këtë turne ndërkombëtar që është ekuivalent i Champions League-s së minifutbollit, duke zhvilluar dy ndeshje (një të fituar dhe një të humbur), por organizatorët dhe drejtuesit e Socca International Federation i kanë njoftuar këtë të premte se qeveria greke nuk lejon më përdorimin e emrit dhe logos “Çamëria.”
Autoritetet në Kretë kanë marrë vendimin për përjashtimin e ekipit të Çamërisë me arsyetimin se emri i përfaqësimit të Shqipërisë nuk është i përshtatshëm, ndërsa mediat në ishullin grek kanë ngritur po ashtu shqetësime lidhur me emrin e ekipit.
Ky incident mund të konsiderohet si pjesë e një vale të përsëritur ksenofobie nga ana e mediave dhe institucioneve greke ndaj shqiptarëve.
Për atë çfarë po ndodh në Kretë, ku ekipit shqiptar “Çamëria”, nuk po i lejohet të marrë pjesë në Champions League-n e Minifootball për shkak të logos, emrit dhe fanellës, kanë reaguar edhe Tfiozat Kuqezi.
/a.r