Partia Demokratike i është drejtuar me një letër Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ku shprehet kundër implementimit të votimit elektronik në Elbasan dhe Durrës për zgjedhjet e vitit 2025. Në letër pretendohet se votimi elektronik në zgjedhjet e Majit 2023 në Elbasan dhe Kamëz, solli një sërë problematiksh të cilat, sipas PD-së, e minuan besimin e publikut dhe të forcave politike në të.
“Pamjet filmike të operatorëve të sistemit, të cilët përkundër kujdesit për mbarëvajtjen teknike të makinerive të votimit elektronik shkelën ligjin për të mbivendosur interesin partiak, duke votuar vetë në emër dhe për llogari të zgjedhësve të cilët nuk ishin aty ndërkohë që kjo përbën shkelje të Kodit Zgjedhor dhe vepër penale, dëshmojnë veprime që u konsumuan në presence të komisioneve të qendrave të votimit dhe ende sot mbeten të pahetuara si nga ana juaj ashtu edhe nga ana e organeve të drejtësisë të cilët duhet të vigjëlojnë mbi procesin zgjedhor“, thuhet në letër.
Në kushtet kur sipas PD-së, ende nuk është bërë një transparencë e plotë lidhur me problematikat që cilat kanë karakterizuar këtë proces në dy zgjedhjet pararendëse, ata shprehin mosdakordësinë lidhur me propozimin e KQZ për implementimin e votimit elektronik në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025.
“Mungesa në zbatim e garancive që ligji u jep zgjedhësve për të verifikuar votën dhe anuluar atë, mungesa e mekanizmave që garantojnë verifikim të thelluar dhe transparencë, gjithashtu minuan besimin e zgjedhësve, subjekteve zgedhore dhe publikut në një proces që kërkon besim. Përsa më sipër, në kushtet kur ende nuk është bërë një transparencë e plotë lidhur me problematikat që cilat kanë karakterizuar këtë proces në dy zgjedhjet pararendëse, në mungesë të mekanizmave efikase të adresimit të problematikave të konstatuara, si dhe në presionin e një kohe të pamjaftueshme për një implementim efikas të kësaj teknologjie në zgjedhjet e ardhshme, shprehim mosdakordësinë tonë lidhur me propozimin tuaj për implementimin e votimit elektronik në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025”, thotë PD.
/a.r
Me kete qe bene hiqete si perfundim na zgjedhje parlamentare 2025 partia sali berisha edhe te tjere