Dhuna, djegia, shkatërrimi dhe goditja ndaj punonjësve të policisë nuk do të tolerohet. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, një ditë pas dhunës së opozitës në parlament dhe akuzave se policia nxori armën ndaj deputetëve demokratë. Ministri mohoi nxjerrjen e armës nga Policia, sikurse deklaroi zyrtarisht edhe policia një ditë më parë, ndërsa shprehu keqardhje për deputetë që dhunuan punonjësit e policisë dhe të gardës.
“Keqardhje për deputetë e opozitës të cilët ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe gardës që ishin atje për të ushtruar detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga policia, kurse e drejta e dhunës, djegies, shkatërrimit, goditjes së punonjësve të policisë nuk do të tolerohet. Në deklaratën e policisë së shtetit është shprehur qartë që nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armëve nga ana e punonjësve të policisë. Në ligjin për tubimet është përcaktuar rasti i përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e policisë së shtetit nuk kanë pasur dhe nuk kanë qenë të pajisur me armë zjarri”, u shpreh ministri për mediat.
Sipas tij forma dhe mënyra e intimidimit dhe imponimit të kësaj mazhorance me mjete shkatërruese e djegëse nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë.
“Sulmi i deputetëve ndaj policisë e gardës në prag të marrjes të anëtarësimit ën BE nuk është io pranueshëm, sepse forcat e policisë dhe garda janë atje për të mbrojtur institucionet kushtetuese. Forcat e policisë së shtetit që kanë qenë të planizuar me shërbim kanë qenë atje për të bërë detyrën dhe mbrojtjen e insitucioneve. Ndjej shumë keqardhje që forma dhe mënyra e intimidimit dhe imponimit të kësaj mazhorance me mjete shkatërruese e djegëse nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë”.
Ministri theksoi se “mosbindja civile është një term që po keqpërdoret. Punonjësit e policisë janë atje për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Asnjë kapërcim tjetër nuk do të lejohet në kuadër të mbrojtjes së institucioneve dhe kushtetutës”.
/a.r