Nga një organizatë kriminale në Gargano, ishin shndërruar në një klan mafioz apo ‘mafia ushtarake’ dhe mafia biznesi në Pulja, duke evoluar deri në fushën politiko-administrative.
Dhe për ta arritur këtë, kishin edhe ndihmën e organizatave shqiptare të narkotrafikut, teksa me aktivitetet ‘legale’, pastronin paratë e tyre të pista, duke ricikluar gjithçka.
Por katër ditë më parë, Antimafia e Barit njoftoi shkatërrimin e një prej klaneve të rrezikshme mafioze, të quajtura “Li Bergolis” (Malësorët), duke kryer 39 arrestime.
Lidhje të ngushta biznesi dhe aktiviteti gjithashtu me ‘Ndrangheta’ dhe ‘Camorra’. Autoritetet hetimore i kanë cilësuar ata si “malësorët që zbritën në bregdet dhe u bënë trafikantë ndërkombëtarë”.
Dosja hetimore, krerët e grupit dhe bashkëpunimi mafioz
Hetimet i drejton prokurorja e DDA-së së Barit, Bruna Manganelli dhe kryeprokurori Roberto Rossi. Goditjet u bënë në Foggia dhe Bari, por edhe në Reggio, ku vepronte “Ndragheta”.
Bashkëpunimi kriminal u ka siguruar miliona euro. Autoritetet hetimore thanë se janë sekuestruar deri tani 10 milionë euro pasuri të ndryshme.
Gjyqtarja e dosjes për hetimet paraprake, Isabella Valenzi, urdhëroi burg për 37 të dyshuar dhe arrest shtëpiak për dy të tjerë, përfshirë shefin e Viestes, Marco Raduano, i cili u bë bashkëpunëtor i drejtësisë muajt e fundit pas arrestimit në Korsikë, që i dha fund klanit. Më parë ishte vrarë kreu i grupit Francesco Li Bergolis, i njohur si “Ciccillo”, kurse 3 krerët e tjerë të familjes; Franko, Matteo dhe Armando, dy të parët përkatësisht të dënuar me burgim të përjetshëm dhe tjetri 27 vite.
Që nga viti 2009, lufta mes organizatave Li Bergolis dhe Romito-Ricucci-Lombardi, ka lënë 21 vrasje dhe 18 tentativa për vrasje, pavarësisht se shumë nga krerët ishin në burg.
Gjatë hetimit rezultoi se në burg janë përdorur pica, letra, madje edhe telefona celularë për të mbajtur një “kanal lidhjeje të qëndrueshme” edhe “në kontekstin e burgut” që synonte “menaxhimin e fondit të përbashkët, ndihmën financiare të anëtarëve të burgosur”, si dhe për të kryer krime të reja në bandat dhe “zhvillimin e trafikut të drogës”, shkruan “Ilfattoquotidiano”.
Fjalët e prokurorit kombëtar antimafia, Giovanni Melillo, ndaj një prej të pandehurve, ishin kumbuese:
“Ti nuk pushon së qeni anëtar mafioz pasi të arrestojnë”.
Bashkëpunimi me shqiptarët dhe infiltrimi deri në politikë
Familja Li Bergolis kishte arritur të ruante një “vitalitet të theksuar operacional alarmues” dhe të bënte “një hap vendimtar në cilësi në procesin e modernizimit”. Me të mbërritur në bregdet, ata kishin marrë “kontrollin e Viestes”, pas luftës së armatosur me klanet kundërshtare, dhe për këtë arsye kishin zënë “një hapësirë të konsiderueshme në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës”, duke u bërë “bashkëbiseduesi më i besueshëm” i karteleve shqiptare.
Gjithashtu bandat e rëndësishme të ‘Ndrangheta-s në Reggio Calabria, shpjeguan hetuesit.
Përgjimet e thelluara zbuluan detaje interesante të aktivitetit kriminal. Prokurorët besojnë se “aftësia depërtuese e mafias kushtëzuese” e Li Bergolis kishte gjithashtu “efekte në aparatin politiko-administrativ lokal” siç u demonstrua nga shpërbërja e lidhur me mafien e komunave Monte San Angelo, Mattinata dhe Manfredonia.
Rekrutimi i të miturve si strategji, 48 akuza dhe 3580 faqe dosje
Jo vetëm kaq, por kohët e fundit kishin nisur strategji të re: Rekrutimi i fëmijëve. Ndaj krerëve të organizatës dhe anëtarëve janë ngritur 48 akuza në cilësi të ndryshme, ku 25 prej të dyshuarve akuzohen për shoqatë mafioze. Urdhri përfshinte një sasi mbresëlënëse të materialit hetimor me 3580 faqe marrje në pyetje të 18 bashkëpunëtorëve të drejtësisë, përgjime të 75 telefonave inteligjentë, video survejim të 22 vendeve dhe dhjetëra përgjime në burg.
Hetuesit rindërtuan gjithashtu se si klani kishte zhvilluar gjithashtu aftësinë për të rekrutuar të mitur “me aktivizimin e një procesi tutorial”, besueshmëria e të cilëve u testua duke përdorur të rinjtë e rekrutuar në vjedhje, grabitje dhe zhvatje.