Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me Shefin e Sektorit Ekonomik Rajonal për Ballkanin Perëndimor, pranë Ambasadës së Republikës Franceze, Pierr Grandjouan, rezident në Beograd.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë prezantoi z. Pierre Grandjouan me zhvillimet ekonomike në vend, ku theksoi se rritja ekonomike është në trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike pritet të forcohen në vitet e ardhshme.
Lidhur me ecurinë e inflacionit, Guvernatori u shpreh se ai ka ardhur në rënie të shpejtë, duke shënuar dhe një rikuperim të plotë të goditjes që pësuam nga rritjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme me qëndrimin e politikës monetare, duke analizuar të dhënat mbi inflacionin dhe ka reaguar me qëndrimin e saj në mënyrë që rritja ekonomike të ruhej e pacenuar. Kjo qasje ka rezultuar mjaft efektive.
Politika monetare ka qenë sa më fleksibël, duke synuar të mos dëmtojë trendet pozitive të zhvillimit të vendit, si dhe duke u kujdesur të jetë e harmonizuar me zhvillimet financiare dhe kahun e politikës fiskale.
Falë këtij reagimi, inflacioni dhe pritjet për të qëndrojnë tashmë më pranë objektivit tonë, ndërkohë që parashikimet për të ardhmen janë pozitive. Aktualisht, inflacioni në vendin tonë është më i ulëti në rajon dhe në Evropë.
/a.r