Nga dhomat e thjeshta private, tek apartamentet moderne, bashkë me shtëpitë tradicionale, bujtina, vila e madje ferma… shqiptarët po mikë-presin turistët duke bërë biznes. Aktualisht vetëm në një nga platformat e turizmit, atë Airbnb, rezultojnë të listuara 18 200 njësi akomoduese, kryesisht me qira ditore. Pjesa më e madhe e tyre, mbi 7 mijë gjenden në Vlorë, ndjekur nga Tirana, Saranda, Durrësi, Himara, Shkodra, Berati dhe Lezha.
“Ka nga ata që kanë lënë apartamentet e tyre me qira ditore dhe vetë janë zhvendosur në zona të tjera ku apartamentet kushtojnë më lirë. Ka nga ata klientë që marrin apartamente me qira mujore dhe i japin me qira ditore. Ka nga ata që blejnë posaçërisht apartamente, i bëjnë me përmasa të vogla dhe i japin me qira ditore”, thotë për A2 CNN Ogerta Bala, agjente e tregut imobiliar.
Të dhënat nga AirDNA, një motor kërkimi që analizon çmimet e apartamenteve në gjithë botën tregojnë se një natë-qëndrim në Vlorë kushton mesatarisht 52 euro. Në Tiranë çmimi ulet në 42 euro, në Sarandë shkon në 58 euro, ndërsa në Durrës 51 euro. Çmime të larta ofron edhe Himara ndërsa në Shkodër, Berat e Lezhë çmimet mesatare për një natë luhaten nga 30 deri në 40 euro.
“Kryesisht në kryeqytet dhe jo vetëm janë italianët ata që kërkojnë apartamente me qira ditore. Kjo pasi janë edhe më të shumtë në numër”, thotë Bala.
Ndonëse sezoni veron ka mbarur, agjentë nga tregu i pronave raportojnë kërkesë të shtuar nga turistët për vilat, çmimet e të cilave janë ndjeshëm më të larta se njësitë e tjera akomoduese. “Kam klientë që ofrojnë deri në 300 euro për një natë qëndrim në apartament pasi në disa zona strukturat hoteliere janë tërësisht të zëna”, thotë Bala.
Të dhënat nga Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vetëm apo 1 mijë e 850 apartamente me qira ditore janë të regjistruar te tatimet dhe paguajnë taksat dhe tarifat.
/a.r