Menjëherë pas marrëveshjes së arritur mes qeverisë shqiptare dhe koncesionarit të Aeroportit Të Tiranës, Ministria E Transporteve udhëzon që aeroporti Nënë Tereza përpara se të vendosë tarifat aeroportuale duhet që të bisedojë me kompanitë e fluturimeve.
Në një urdhër të firmosur nga ministri Edmond Haxhinasto, Autoriteti i Aviacionit Civil, detyrohet që të hartojë një procedurë e cila përcakton konsultat mes kompanive ajrore dhe koncesionarit, të cilat duhet të zhvillohen minimalisht 1 herë në vit.
Autoriteti i Aviacionit Civil do të hartojë një procedure të detyrueshme, që rregullon konsultimin ndërmjet entit menaxhues të aeroportit dhe përdoruesve të aeroportit në lidhje me:
– aplikimin dhe funksionimin e sistemit të tarifave aeroportuale
– nivelin e tarifave aeroportuale
– cilësinë e shërbimeve të ofruara.
E kontaktuar nga Vizion Plus, Ministria e Transporteve shprehet se urdhri është i kufizuar pasi marrëveshja e vitit 2004 nuk lejon që të ndërhyet në këtë fushë, por pavarësisht kësaj, tashmë koncesionari detyrohet që të jetë transparent në publikimin e tarifave dhe çmimet t’i ketë të argumentuara duke i krahasuar me vendet e rajonit.
Autoriteti i Aviacionit Civil mund të lejojë entin menaxhues të aeroportit, për të paraqitur një sistem të përbashkët dhe transparent tarifash në aeroportet që i shërbejnë së njëjtës hapësirë urbane, me kusht që çdo aeroport të përmbushë kërkesat për transparencë të përcaktuara në nenin 6.
Në këtë urdhër thuhet që nëse hapen aeroporte të reja në Shqipëri, fluksi vjetor i udhëtimeve të të cilave është mbi 5 milion njerëz duhet që tarifat të vendosen duke marrë konsensusin e shtetit shqiptar.