Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka raportuar në komisionin e “Dezinformimit” lidhur me financimin e partive politike nga subjekte që kryejnë veprimtari të kundërligjshme ose shtete të huaja.
Celibashi tha se KQZ nuk i ka kapacitetet dhe mekanizimet e duhur kontrollues dhe monitorues për të hetuar financimet e partive politike apo të fushatave të tyre zgjedhore dhe për këtë kërkoi që Kuvendi të adresojë këtë problem duke bërë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor.
“Do të ishte naive të mendoje se KQZ do të mund të monitoronte financimet nga palë të treta”, u shpreh Celibashi, i cili mendon se duhet edhe një përmirësim i mekanizmit të raportimit të partive politike dhe subjekteve financuese të tyre.
“Ka nevojë për përmirësimit të mekanizmave të kontrolleve dhe mbikëqyrjes së financimit të partive. Lidhur me financimin e paligjshme kryesisht nga subjekte të huaja apo shtete të huaja apo edhe nga subjekte qe në vetvete ushtrojnë veprimtari të kundërligjshme duhet të pranojmë që është e vështirë për KQZ që të marrë informacione lidhur me këtë lloj natyre financimi. Në fund të fundit financimi përmes këtyre subjekteve përbën një veprimtari që sanksionohet në kodin penal dhe veprime të tilla kërkojnë angazhimin e institucioneve përgjegjëse për ndjellin penale. Do ishte naive që përmes mekanizmave të KQZ të merret informacion dhe më pas të vlerësonte financime që vijnë nga veprimtari të paligjshme dhe kriminale apo nga shtete të huaja. Duhet përmirësim i mekanizmit të raportimit të partive politike dhe subjekteve zgjedhore për veprimtarinë e tyre elektorale. Ka përmirësime sinjifikative, por mbetet ende shumë për të bërë. Ajo që është themelore dhe duhet të ndryshojnë lidhur me financimin ka të bëjë me financimin e palëve të treta, që konsiston në financimin indirekt të partive politike dhe fushatave zgjedhore dhe ky financim në këtë mënyrë ndihen jo përgjegjëse për raportimin dhe monitorimin e financimeve të përcaktuar sipas rregullores”, tha Celibashi.
Për Celibashin duhet që edhe institucionet përkatëse të bëjnë këtë monitorim të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë kriminale, të cilat edhe pse nuk kanë asnjë lidhje politike financojnë fushatat elektorale të partive të ndryshme.
“Të themi se partia X financimin e fushatës e ka në rregull nga pikëpamja formale sipas kodi zgjedhor por janë satelitë të tjerë që zhvillojnë veprimtarinë elektorale për qëllimet elektorale të kësaj partie politike, këto mund të jenë ente të ndryshëm , sindikata, organizata jo qeveritare, por janë incidente që nuk kanë lidhje me partitë politike por janë të angazhuara në fushat dhe nuk ka asnjë parashikim ligjor për detyrimet e tyre për të treguar se nga i marrin këto financime. Partitë politike arrijnë përmes këtyre subjekteve arrijnë të marrin paratë që duan. Kuvendi të adresojë këtë shqetësim përmes adresimeve përkatëse të ndryshimit të kodit zgjedhor. E kemi të pamundur të bëjmë hetime mbi shifrat që partitë politike dekorojnë për financimin”, tha Celibashi.
/a.r