Pas një zbulimi të rastësishëm, nipi i një tregtari hebre arti, mësoi se një pikturë e paçmuar për të cilën ai besonte se nazistët ia kishin vjedhur gjyshit të tij mund të jetë aktualisht në duart e njërës prej familjeve më me ndikim në botin e artit. Por vërtetimi i kësaj hipoteze qe e pamundur.
Vepra, e krijuar nga artisti italian Amedeo Modigliani, njihet me titullin “Burri i Ulur me Shkop.” Modigliani, një i ri i varfër dhe i alkoolizuar, vdiq nga tuberkulozi pothuajse një shekull më parë; pikturat e tij sot shiten për deri 170 milionë dollarë. Portreti i një të moshuari me mustaqe i ulur në një karrige, me duar të mbështetur mbi shkopin e tij, sot vlerësohet se mund të kushtojë 25 milionë dollarë.
Hetuesit e gjurmuan pikturën te një klan miliarderësh, të cilët e patën blerë atë në një ankand më 1996. Avokatët që punonin për nipin, dërguan një letër te galeria Nahmad në Nju Jork, ku deklarohej se tabloja i përkiste nipit, te i cili duhej të kthehej. Ata kërkuan një takim për të diskutuar çështjen. Galeria nuk u përgjigj, sipas dokumenteve në një çështjeje gjyqësore. Nipi hapi gjyq. Katër vjet më vonë, avokatët e të dy palëve qenë ende duke luftuar.
Galeria Nahmad pati këmbëngulur në gjykatat federale dhe të shtetit në Nju Jork se familja nuk e disponon veprën e Modiglianit. Një kompani offshore e quajtur International Art Center, e regjisturar nga një firmë ligjore pak e njohur në Panama e ka atë nën pronësi.
Por të dhënat sekrete e siguruara nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung dhe partnerë të tjerë mediatikë, sugjerojnë se deklarata është një qëndrim ligjor i dizenjuar për të fshehur pronarët e vërtetë të tablosë.
Të dhënat, më shumë se 11 milionë dokumente në tërësi, vijnë nga dosjet e brendshme të firmës Mossack Fonseca, një kompani panameze që është specializuar në ndërtimin e strukturave korporative që mund të përdoren për të fshehur asete. Dokumentet e zbuluara shtrihen që nga vitet 1977 deri më 2015 dhe përfshijnë volumin më të madh të informacionit të disponueshëm nga gazetarët deri më sot, ku gjenden lidhjet mes tregtisë ndërkombëtare të artit dhe vendeve dhe territoreve ku informacioni tregtar mbahet sekret. Të dhënat paraqesin panoramën e një industrie të parregulluar ku anonimati përdoret rregullisht për të fshehur të gjitha llojet e sjelljeve të pakëndshme.
Familja Nahmad e kishte kontrolluar kompaninë e regjistruar në Panama, International Art Center, për më shumë se 20 vjet, tregojnë dokumentet. Ajo kompani qe një pjesë e rëndësishme e biznesit të artit të kësaj familjeje. David Nagmad, udhëheqësi i familjes, ka qenë pronari i vetëm i kompanisë që nga janari 2014.
Kur u përballën me dokumentet që tregonin se Nahmad e kishte nën pronësi International Art Center, avokati i David Nahmad, Richard Golub, tha “se cili e ka nën pronësi, IAC kjo është e parëndësishme. Kryesore është se cilat janë problemet kryesore në këtë rast dhe a mundet pala tjetër t’i provojë?”
Çështja kryesore, tha Golub, qe nëse nipi mund të demonstrojë se pikërisht kjo tablo i qe vjedhur gjyshit të tij. Pavarësisht shumë viteve beteja gjyqësore, kjo është një çështje që nuk ka marrë shumë vëmendje nga gjykatësi, për shkak se të dyja palët deri tani janë grindur mbi pyetjen se cili është pronari i tablosë sot.
Mossack Fonseca jo vetëm që ndihmoi Nahmadët të krijonin kompaninë International Art Center më 1995, por ajo ofroi edhe për shumë klientë të saj mjetet për të kryer transaksione më sekret të plotë për vepra të artistëve të famshëm si Van Gogh, Rembrandt, Chagall, Matisse, Basquiat dhe Warhol.
Koleksionistë të tjerë të mirënjohur që kanë kompani të regjistruara me ndihmën e Mossack Fonseca, përfshijnë klanin Thyssen-Bornemisza të Spanjës, manjatin kinez Wang Zhongjun dhe mbesën e Picasso, Marina Ruiz-Picasso.
Zhongjun nuk iu përgjigj një kërkese për komente. Ruiz-Picasso refuzoi të komentojë. Brojia Thyssen, përmes një avokati, pranoi se kishte një kompani në offshore, por tha se ajo qe tërësisht e deklaruar te autoritetet tatimore spanjolle.
Të dhënat e firmës përmendin mjaftueshëm vepra arti për të mbushur një muze të tërë. Mes shumë provave të reja në betejën ligjore mbi veprën e Modiglianit, ka të dhëna në dosjet e Mossack Fonseca mbi misterin e kryeveprave të humbura të një manjati grek anijesh si dhe detaje të panjohura më parë mbi një nga blerësit më të mëdhenj të artit të shekullit të 20.
Dokumentet zbulojnë se si shitës dhe blerës arti përdorin të njëjtat cepa të errët të sistemit botëror financiar si dhe diktatorët, politikanët, mashtruesit dhe të tjerë që përfitojnë nga anonimati që ofrojnë këto zona të sekretit.
Përgjatë viteve të fundit, ndërsa çmimet e artit janë rritur në mënyrë dramatike, transaksionet shpesh janë fshehur nga përdorimi i kompanive offshore, njerëzve fasadë, zonave të tregtisë së lirë, pjesëmarrësve manipulues në ankande dhe shitjeve private. Ndërsa sekreti mund të përdoret në mënyrë të ligjshme për të shmangur reklamën e padëshiruar, ose që të kufizohen rreziqet ligjore apo të lehtësohen operacionet ndërkufitare, por mund të përdoren edhe për qëllime të këqija, të tilla si shmangia e taksave apo fshehja e historisë së pronësisë. Për shkak se arti është lehtësisht i transportueshëm, i kushtueshëm dhe i pambikëqyrur, autoritetet kanë frikë se shpesh përdoret për pastrim parash.
Kohë bumi
Bumi aktual i tregut të artit – dhe lidhjet me zonat sekrete brenda sistemit botëror global – ofron më shumë prova për rritjen spektakolare të super të pasurve. Arti është bërë një aset i vlefshëm për një elitë globale që synon të vendosë paratë e tyre në vende të sigurta dhe të veçuara. Gjatë vitit 2015, shitjet e artit qenë 63.8 miliardë dollarë, sipas publikimit të kësaj industrie Art Market Report.
Vlera totale e parave të hedhura te arti nga miliarderët vlerësohej 32.6 miliardë më 2013.
“Faktori kryesor i rritjes së tregut të artit është pasuria e akumuluar,” shpjegon Michael Moses nga firma Beautiful Asset Advisors, e cila gjurmon tregtinë e artit. “Nëse super të pasurit shtojnë pasuritë e tyre më shumë se sa pjesa tjetër e të pasurve – atëherë tregu i artit rritet – këta janë njerëzit që kanë para të tepërta për të shpenzuar në arte.”
Pothuajse gjysma e transaksioneve janë private, të arritura ngushtësisht mes shitësve dhe blerësve, vlerëson Art Market Report. Ka shumë pak informacion publik mbi këto shitje. Pjesa tjetër bëhet përmes ankandeve publike, ku ofrohet një farë transparencë sa i përket çmimit, por sërish blerësit dhe shitësit lejohet të mbeten të fshehtë, thotë Moses.
Kur arti me vlerë të lartë ndryshon duart, shpesh bie në një zonë të tregtisë së lirë të njohur si port i lirë. Për sa kohë arti magazinohet në një port të lirë, pronarët nuk paguajnë taksa apo tarifa importi. Kritikët shqetësohen se sistemi i portit të lirë mund të përdoret për të shmangur taksat apo për të pastruar para për shkak se inventarët dhe transaksionet nuk raportohen. Sipas firmës ndërkombëtare të shërbimeve profesionale, Deloitte, 42 për qind e koleksionistëve të vrojtuar thanë se ndodh shpesh që ata përdorin një port të lirë. Porti i lirë më i vjetër për shumicën e artit është Gjeneva. Magazinat e saj komplekse thuhet se mbajnë mjaftueshëm thesare për të rivalizuar çdo lloj muzeu të botës së sotme.
Natural Le Coultre, një kompani nën pronësi të Yves Bouvier, jep me qira pothuajse një të katërtën e të gjithë hapësirës së disponueshme për zonën e lirë të Gjenevës. Bouvier është gjithashtu pronar i rëndësishëm në portet e tjera të lira të artit të vendosura nga Luksemburg dhe Singapor si dhe është konsulent për një magazinë arti që po ndërtohet në Pekin. Këto aktivitete i kanë dhënë atij titullin “mbreti i porteve të lira të artit.”
Por është aktiviteti i Bouvier si ndërmjetës në marrëveshje private që e kanë bërë atë thashethemin e botës së artit dhe shënjestër aktpadish civile. Miliarderi rus Dmitry Rybolovlev ka ngritur pad kundër Bouvier Në Monako, Paris, Kong Kong dhe Singapor, duke e akuzuar atë se ka shënjuar në mënyrë mashtruese çmimet e pikturave para se t’i shiste. Pasi analizoi pretendimin, një gjykatës në Singapor urdhëroi ngrirjen e aseteve të Bouvier dhe një gjykatës në Hong Kong bëri të njëjtën gjë. Bouvier i mohon akuzat me forcë.
Nuk është surprizë, duke parë numrin e miliarderëve dhe tregtarëve të artit të cilët përdorin shërbimet e Mossack Fonseca, që të dy këto burra janë klientë të firmës.
Dokumentet e kësaj firme ligjore tregojnë së paku pesë kompani të lidhur me Bouvier, megjithëse asnjëra nuk duket se ka lidhje me rastin Rybolovlev.
Kundërshtari i tij, Rybolovlev, ka dy kompani.
Rybolovlev refuzoi të komentojë. Një përfaqësues për Bouvier tha se klienti i tij përdor kompanitë offshore për qëllime të njohura dhe të ligjshme.
Loja me ankandet
Shumë mendojnë se entuziazmi i çmendur i tregut të artit për art bashkëkohor lidhet me një shitje të kryer mbrëmjen e një dite të hënë në nëntor 1997. Zhvilluar në Christie në Nju Jork, ankandi i koleksionit të Victor dhe Sally Ganz prodhoi vlerësime rekord për pikturat dhe u bë një gur reference për transformimin e artit në një mall me rëndësi botërore.
“Krejt papritur, loja u bë serioze me shitjen e Ganz në një mënyrë që nuk kishte ndodhur më parë,” thotë Todd Levin, drejtor i Levin Art Group, një kompani konsulence me bazë në Nju Jork. “Qe si një injektim steroidësh në treg.”
Historia e plotë pas ankandit të Ganz nuk u zbulua kurrë. Dokumentet e rrjedhura tregojnë se ajo përfshinte interesa të fshehtë dhe një nga ndërmjetësit më të parapëlqyer të botës për tregtinë offshore të artit, Mossack Fonseca.
Gazne qenë koleksionistë të veprave të autorëve të ndryshëm si Pablo Picasso, mbështetës të hershëm të Frank Stella si dhe miq e patronë të Jasper Johns, Robert Rauschenberg dhe Eva Hesse. Pasi çifti Gazne u nda nga jeta, fëmijët e tyre u detyruan të shesin koleksionin që pati zbukuruar muret e shtëpisë së tyre.
Çifti Ganze pati shpenzuar rreth 2 milionë dollarë përgjatë 50 viteve për të mbledhur atë koleksion. Por brenda një mbrëmjeje, koleksioni u shit për një rekord prej 206.5 milionë dollarësh.
Por ajo që rezulton e panjohur deri më sot është që trashëgimtarët e Ganz duket se e kanë shitur koleksionin e tyre shumë muaj para se të zhvillohej ankandi. Lojtari kryesor i transaksionit qe një korporatë e regjistruar në Niue, një ishull i vockël në Paqësorin e Jugut. Kompania quhej Simsbury International Corp.
Simsbury International duket se është krijuar vetëm për transaksionin e këtij koleksioni. Ajo u themelua në prill 1997. Një muaj më vonë, ajo e bleu koleksionin. Agjenti që regjistroi Simsbury qe Mossack Fonseca. Punonjës të firmës ligjore panameze shërbyen si drejtues sa për dukje të Simsbury International, emra që zyrtarisht kontrollonin kompaninë dhe praktikisht nuk kishin asnjë ndikim. Drejtorët fasadë firmosën marrëveshjet për llogari të kompanisë me një bankë, një shtëpi ankandesh dhe një kompani të transportit të artit.
Pronësia e kompanisë mbahej përmes “aksioneve të mbajtësit.” Këto janë certifikata pronësie aksionesh pa emër pronari dhe rrjedhimisht, janë aksione nën pronësinë anonime të atij që mban në dorë certifikatën, i cili ka të drejtë ta transferojë apo kërkojë vlerën e aksioneve. Sot, tituj të tillë aksionesh janë të ndaluar në shumë vende për shkak se mund të përdoren me lehtësi për evazion fiskal dhe për pastrim parash.
Në marrëveshjen e firmosur më 2 maj 1997, Simsbury International bleu pikturat më të çmuara të koleksionit Ganz për 168 milionë dollarë nga Spink & Son, një kompani ankandesh në Londër në atë kohë nën pronësinë e Christie, sipas dokumenteve të rrjedhura. Një përfaqësues i familjes Ganz refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të ICIJ mbi detajet e transaksionit.
Marrëveshja kishte një nënmarrëveshje shoqëruese. Nëse ankandi për veprat do të sillte një çmim më të lartë, pronari i Simsbury International dhe ai i Spink & Son do të ndanin fitimet.
Njeriu që kishte fuqinë e përfaqësimit të Simsbury, dhe për rrjedhojë, kontrollonte llogarinë bankare të kompanisë, qe miliarderi britanik Joseph Lewis. Në atë kohë, njeriu më i pasur në Angli, Lewis e bëri pasurinë e tij duke luajtur përballë luhatjeve të tregut valutor. Ai qe gjithashtu aksioneri më i madh i Christie.
Katalogu i Ganz shkruante se “Christie ka një interes të drejtpërdrejtë financiar në pronësinë e kësaj shitjeje,” por nuk jepte detaje.
Lewis pati vënë një bast që do të mund të paguante në shumë mënyra.
Ankandi i Ganz do të ndihmonte ta bënte vitin 1997 një nga vitet me shitjet më të larta të Christie deri në atë kohë. Shtëpia e ankandeve pati një xhiro prej mbi 2 miliardë atë vit. Lewis nuk iu përgjigj kërkesave për komente.
Një nga pikturat më të shtrenjta të shitura nga ankandi i Ganz qe “Gratë e Algjerit, versioni O.” Ajo qe tabloja e fundit në një seri të jashtëzakonshme me pesëmbëdhjetë tablo që Picasso i bëri në mes të viteve 1950. Përveç versionit “O”, në ankand u shitën edhe versionet “M,” “H,” dhe “K.”
Në garë për këto vepra qenë pjesëtarë të klanit të miliarderëve Nahmad. David Nahmad iku në shtëpi me versionin “H,” duke ia shtuar atë koleksionit të tij, që sakaq konsiderohej si koleksioni më i madh i veprave të Picasso në duar private.
Një dinasti arti
Nahmadët filluan si një dinasti bankierësh me origjinë hebrenj sefardikë nga Alepo, Siri. Më 1948, Hillel Nahmad zhvendosi bashkëshorten dhe tetë fëmijët e tyre në Beirut.
Tri nga djemtë e tij — Giuseppe, David dhe Ezra — në fund u zhvendosën në Milano dhe, nga fillimi i viteve 1960, qenë bërë tregtarë aktivë të arrit. Giuseppe, kryetari i familjes, pati një shije për makina sportive të shtrenjta, sipas vëllait të tij David dhe në një rast doli për një takim me Rita Hayworth.
Ai qe gjithashtu një pionier në trajtimin e biznesit të artit si një bursë aksionesh, duke blerë dhe mbajtur piktura në pronësi për aq kohë sa t‘i rritej çmimi me synimin për të maksimizuar fitimet.
Ai u nda nga jeta në vitin 2012. David mori mantelin e udhëheqësit të familjes. Ai dhe vëllai i tij më i moshuar Ezra, i vunë djemve të vet emrin Hillel, sipas gjyshit. Ata vijojnë biznesin e familjes.
Dy vëllezërit që janë ende gjallë, sipas Forbes, kanë bashkërisht 3.3 miliardë dollarë pasuri. Ata jetojnë në Monako, mes shumë vendeve të tjera. Përveç tregtisë së valutës dhe artit, David Nahmad është edhe një kampion në tavull. Secili prej djemve ka një galeri me emrin e vet. Djali i Ezra ka galerinë Helly Nahmad në Londër dhe djali i David ka një galeri me të njëjtin emër në Nju Jork.
Të dhënat e Mossack Fonseca tregojnë se Nahmadët qenë nga të parët që përdorën të mirat e tregtisë së artit offshore.
Giuseppe Nahmad regjistroi kompaninë International Art Center S.A. më 1995 përmes bankës zvicerane UBS dhe zyrës në Gjenevë të Mossack Fonseca. Kjo kompani mund të ketë ekzistuar në një formë tjetër edhe më herët. Një dokument i Mossack Fonseca përmend kompaninë International Art Center si blerësiu i veprës “Danseuses” të Edgar Degas në tetor 1989.
Biznesi i Nahmadëve, i cili shtrihet në shumë shtete dhe në lidhje gjaku, është i dizenjuar të kryhet para së gjithash offshore. Ndërsa drejtuesit e familjes gjenden në tri vende dhe galeritë e tyre në të dy anët e oqeanit Atlantik, shumica e tablove magazinohet në Zvicër.
International Art Center nuk është korporatat e vetme e familjes e regjistruar nga Mossack Fonseca. Giuseppe Nahmad krijoi gjithashtu Sëinton International Ltd., e cila u regjistrua në Ishujt e Virgjër Britanik më 1992.
Kompanitë offshore janë të ndërlidhura dhe përdoren për biznese familjare. Giuseppe Nahmad kishte fuqinë e përfaqësimit të International Art Center dhe përdorte llogarinë bankare të saj në UBS që nga fillimi i vitit 1995. David dhe Ezra firmosnin për llogarinë bankare të kompanisë në UBS. Për llogarinë e kompanisë në Citibank, dy vjet më vonë, Giuseppe bashkëfirmosi me vëllain e tij Ezra Nahmad.
Më 1995, Swinton International autorizoi David Nahmad të negocionte shitjen e pesë pikturave që kishte nën pronësi – një nga Picasso, “Danseuses” nga Degas, dy piktura vaji në kanavacë nga Henri Matisse dhje një në vaj mbi kanavacë nga Raoul Dufy. Disa nga këto piktura më vonë u nxorën në ankand nga Sotheby, ku u prezantuan si pjesë e një “koleksioni privat.” Dy nga tablotë qenë pronë e International Art Center.
Pronësia e International Art Center mbahej fillimisht përmes Aksioneve të Mbajtësit, gjë që e bënte të pamundur të dihej se kush qenë pronarët. Në bitin 2001, një rezolutë bordi nga drejtorët fasadë të Mossack Fonseca, krijuan 100 aksione të kompanisë dhe ia dhanë ato Guiseppe. Më 2008, këto 100 aksione u rindanë në mënyrë të barabartë te David dhe Ezra Nahmad. Një vit më vonë, Ezra i ndau aksionet me fëmijën e vet Hillel. David nuk veproi po kështu me fëmijën e vet.
Një farë tensioni mes David dhe djalit të tij u shfaq më 2007, në një profil të familjes në revistën Forbes. Artikulli e përshkruan David si njeri të mbyllur, kur ai komentoi, “djali im e ka shumë qejf reklamën. Unë nuk e kam qejf fare reklamën.”
Aktivitetet jashtëshkollore të djalit të tij Helly mund ta kenë bërë atë një aksioner të papërshtatshëm për International Art Center. Njësoj si xhaxhai i tij Giuseppe, Helly qe i uritur. Tablloidët përshkruajnë jetën e tij: të dashura modele, një kat të tërë apartamentesh milionerësh në Kullën Trump, shokë mes të famshmëve dhe baste bixhozi me dorë të lartë. Duke parë historinë e familjes, asgjë e tillë nuk dukej se qe problem real deri sa Prokurori i SHBA-ve për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, ngriti akuzë ndaj tij në prill 2013 për rolin e tij si udhëheqës për një skemë të dyshuar me vlerë 100 milionë dollarë në bixhoz dhe pastrim parash në bashkëpunim me një rrjet gangsterësh rusë.
Përgjimet e çështjes treguan se ai diskutonte se si mund të përdorej biznesi i artit të familjes për të fshehur para. “Në disa raste, një bankë ka nevojë për një justifikim për një transfertë, dakord?” tha ai, sipas një bisede të regjistruar në mars 2012 dhe të shënuar në aktakuzë. “Ne thjeshtë mund të themi, e ke parasysh, po blejmë një pikturë. Nëse ata duan një justifikim, e ke parasysh? Mund të thuash, po, unë bleva, e ke parasysh, një vizatim të Picasso a diçka të tillë.”
Nuk është provuar kurrë në gjykatë që një veprim i tillë u krye ndonjëherë. Biseda nuk përbën në vetvete akuzë dhe avokati i Nahmad tha në një intervistë se kjo nuk ka të bëjë fare me rastin e tablosë së Modiglianit.
Helly Nahmad u deklarua fajtor për një biznes ilegal bixhozi në nëntor 2013. Një gjykatës e dënoi atë me një vit e një ditë burg. Ai ra dakord të paguajë 6.4 milionë dollarë dhe të heqë dorë nga të drejtat e një pikture të Raoul Dufy. Ai kaloi pesë muaj në burg.
Arti i humbur
Nahmadët nuk janë klani i vetëm i botës së artit që i gjetën transaksionet e tyre offshore në telashe ligjore.
Të dhënat e Mossack Fonseca japin informacione të reja mbi mosmarrëveshjet ligjore të familjes Goulandris, një dinasti greke e transportit detar që gjendet në mes të një lufte mbi fatin e 83 kryeveprave të artit që kanë humbur.
“Në tërësi, po flasin për piktura me vlerë 3 miliardë,” thotë Ezra Chowaiki, një pronar galerie i cili po mbron një nga pretendimet ligjore, në një intervistë për ICIJ. “Mund të jetë koleksioni më i madh i humbur në histori.”
Dy padi civile dhe një hetim penal janë duke u zhvilluar në Lozanë të Zvicrës, në përpjekje për të përcaktuar vendndodhjen dhe pronësinë e koleksionit të artit. Rasti përfshin një numër familjesh të pasura në luftë me vetvete, kompani guackë të regjistruara në Panama, aludime për dokumente të falsifikuara dhe piktura të artistëve të tillë si Van Gogh, Matisse dhe Picasso.
Disa nga pikturat janë shitur. Shitësi nuk dëshironte që historia e tyre të dihej. Në një marrëveshje me vlerë 20 milionë dollarë të gjetur në dosjet e Mossack Fonseca të një nga tablove të familjes Goulandris, vepra e Van Gogh, “Nature Morte aux Oranges,” ka një klauzolë konfidencialiteti. Ajo ndalon zbulimin e “identitetit të palëve në këtë marrëveshje (përfshidë identitetin e aksionerit të vetëm të shitësit)” dhe “çfarëdolloj informacioni apo dokumenti që mbart Origjinën e Veprës dhe zinxhirin e titullit.”
Kjo vepër dikur i përkiste tajkunit të industrisë detare greke Basil Goulandris. Më 1994, Goulandris vdiq nga parkinsoni. Pasi bashkëshortja e tij Elise, vdiq në vitin 2000, trashëgimtarët mësuan se koleksioni masiv i artit të çiftit qe shitur shumë vite më parë. Një kompani panameze e quajtur Wilton Trading S.A. kishte tashmë pronësinë e pikturave.
Më 1985, sipas nipit të Basil Peter J. Goulandris, Basil e pati shitur koleksionin me 83 piktura për një çmim jashtëzakonisht të ulët prej 31.7 milionë dollarësh te Wilton Trading. Por pavarësisht shitjes, pikturat nuk kishin ikur kurrë nga posedimi i çiftit. Gjatë kësaj periudhe, Basil dhe Elise Goulandris ia dhanë hua veprat e artit muzeumeve dhe shitën një pjesë te tregtarë të ndryshëm si të qenë të tyret.
Shumica e asaj që dihet nga Wilton Trading vjen nga një çështje gjyqësore në Zvicër. Ajo qe krijuar në vitin 1981 por nuk kishte drejtorë deri më 1995, dhjetë vjet pasi supozohet se pati ndodhur marrëveshja e shitjes. Sipas një prokurori zviceran, dokumenti mbi të cilin bazohet marrëveshja e shitjes nuk ekzistonte më 1985 dhe askush nuk qe në gjendje të provonte se një transaksion financiar kishte ndodhur dhe një sasi parash kishte ndryshuar duar.
Peter J. Goulandris i tha gjykatës së Zvicrës se kunata e nënës së tij, Maria Goulandris, qe pronare e Wilton Trading. Përmes avokatit të tij, Peter Goulandris refuzoi të komentojë.
Elise vdiq pa trashëgimtarë. Mbesa e saj, Aspasia Zaimis beson se ajo meriton një pjesë të 83 pikturave dhe ka hedhur në gjyq ekzekutuesin e testamentit të Elise.
Në nëntor 2004, kompani anonime të krijuara nga Mossack Fonseca filluan procesin e shitjes së disave prej tablove të Goulandris të cilat ishin nën pronësinë e Wilton Trading.
Në vitin që pasoi, në një ankand të Sotheby në Londër, një kompani e quajtur Tricornio Holdings shiti një tablo të Pierre Bonnard të quajtur “Dans le cabinet de toilette.” Një kompani tjetër, Heredia Holdings, firmosi një marrëveshje me Sotheby për të shitur tablonë e Marc Chagall, “Les Comédiens.” Një kompani e tretë, Talara Holdings, nxorri në shitje tablonë e Chagall të quajtur “Le Violoniste Bleu.” Në të njëjtën kohë, një tablo e vitit 1888 e Van Gogh u shit te tajkuni i marketingut direkt të Kalifornisë Greg Renker dhe bashkëshortes së tij Stacey në një marrëveshje private. Shitësi qe një kompani e quajtur Jacob Portfolio Incorporated.
Renker nuk iu përgjigj kërkesave për komente.
Që të katër kompanitë qenë regjistruar menjëherë para se të kryhej transaksioni dhe qenë mbyllur menjëherë pas, duke mos lënë gjurmë publike se cilët fshiheshin pas tyre. Dokumentet zbulojnë se që të katërta kishin një pronare misterioze: Marie Voridis.
Një nga transaksionet ofron një të dhënë mbi identitetin e Marie Voridis. Më 22 tetor 2004, Voridis transferoi të gjitha të drejtat e një tabloje pikture nga Pierre-Auguste Renoir të njohur në anglisht si “the Seamstress” te Talara Holdings. A feë ëeeks later, Talara Holdings transferred the painting back to Voridis. Në shtator 2005, një revistë greke e modës paraqiti një apartament pompoz në Nju Jork të një njeriu të famshëm, Doda Voridis, motra e Basil Goulandris. Kryevepra nga artistë të mirënjohur dekoronin apartamentin e Voridis, e cila u nda nga jeta në dhjetor 2015. Në kolumnën e thashethemeve, ajo qe njohur gjithmonë si Doda, por emri i saj i vërtetë qe Marie. Varur në mur qe “the Seamstress” e Renoir.
Luftë dhe thesar
Debati mbi veprën e Modigliani “Burri i Ulur e Shkop” filloi në kohën kur mjegulla e luftës ofronte një lloj fshehjeje për botën offshore. Oscar Stettiner, tregtari hebre që dyshohet se ka qenë pronari fillestar i tablosë, u arratis nga Parisi më 1939, për t’i shpëtuar nazistëve, duke lënë pas koleksionin e tij të artit.
Pasi qyteti ra, gjermanët e konfiskuan koleksionin dhe emëruan një “administrator të përkohshëm”, i cili nxori në shitje tablotë në përfitim të nazistëve, sipas dokumenteve ligjore. Në tetor 1944, një oficer i ushtrisë amerikane e bleu veprën e Modigliani në një kafene për 25 mijë franga, sipas dokumenteve gjyqësore.
Më 1946, Stettiner ngriti kërkesë në Francë për të filluar procesin e rekuperimit të tablove, thonë dokumentet gjyqësore të nipit të tij. Ai vdiq dy vjet më pas, ndërsa kërkesa e tij qe ende në shqyrtim.
Avokati i Nahmad, Richard Golub, nuk e pranon këtë narrativë. Ai vë në pikëpyetje faktin nëse Stettiner e kishte pasur ndonjëherë nën pronësi tablonë.
Vepra e Modigliani qëndroi e fshehur në një koleksion privat deri në vitin 1996, kur International Art Center e bleu atë te Christie në Londër për 3.2 milionë dollarë. Galeria Helly Nahmad e ekspozoi tablonë në Londër më 1998 dhe në Musee d’Art Moderne në Paris më 1999. Gjashtë vjet më vonë, ajo qe pjesë e një ekspozite të Modigliani në galerinë Helly Nahmad në Nju Jork.
Kompania me bazë në Toronto Mondex Corp., e cila është specializuar në rikuperimin e veprave të artit të vjedhura nga nazistët, e zbuloi prejardhjen e dyshuar të tablosë aksidentalisht ndërsa kontrollonte arkivën e një ministrie në Francë. Kompania ndihmoi në fillimin e betejës ligjore për ta kthyer atë te Philippe Maestracci, nipi i Oscar Stettiner. Mondex nuk i ka publike tarifat për shërbimet e veta.
Më 11 shkurt 2015, një avokat i Nahmad në gjyqin me Maestracci në Nju Jork, Nehemiah Glanc, i shkroi një email përfaqësuesit të International Art Center në Gjenevë. Glanc qe formalisht avokat o IAC, por ai kishte nevojë për disa fakte kyçe mbi kompaninë para gjyqit, tregojnë të dhënat e rrjedhura që disponohen nga ICIJ.
“Ju lutem më tregoni sa më parë të jetë e mundur se cili është i autorizuar të firmosë për llogari të IAC,” shkroi ai në email.
Nëse Nahmadët do ta firmosnin dokumentin si pronarë të International Art Center, ka gjasa ato do ta kishin humbur mbrojtjen ligjore që ofronte ekzistenca e kësaj kompanie. Avokati në Gjenevë e vuri Glanc në kontakt me Anaïs Di Nardo Di Maio, nga zyra e Mossack Fonseca në Gjenevë. Di Nardo mund të merrte firmat e drejtorëve fasadë të Mossack Fonseca në Panama sapo klientët e Glank të paguanin për to. Ai qe dakord.
Një dokument i formosur nga drejtorët fasadë të Mossack Fonseca kushton $32.10.
Ndërsa çështja ecte përpara, emailet shkëmbeheshin me shumicë mes Glanc dhe Mossack Fonseca. Sa herë që një dokument kërkohej nga International Art Center, drejtorët fasadë duhej të firmosnin.
Në shtator 2015, Gjykatësja e Gjykatës Supreme të Shtetit të Nju Jorkut, Eileen Bransten e hodhi poshtë kërkesën e Maestracci. Mes gjetjeve të saj, pala paditëse nuk kishte arritur të ngrinte kërkesën e saj te International Art Center pasi ato e kishin dorëzuar kërkesën te Galeria Nahmad dhe jo në Panama. Nahmad nuk qe pronare e tablosë dhe rrjedhimisht nuk mbante përgjegjësi. Dy muaj më vonë, pala kërkuese ngriti një padi të dytë në Gjykatën Supreme në Nju Jork.
Padia e re kundër Nahmad bëri një përpjekje tjetër të të lidhur pronësinë e International Art Center nga kjo familje, duke e përshkruar atë si një alterego të sipërmarrjes së familjes “në një mënyrë të tillë sa për të konfonduar apo fshehur identitetet e tyre dhe për të fshehur të ardhurat e gjeneruara,” nga biznesi i tregtisë së artit.
Ndërsa çështja vijon, portreti i vitit 1918 i Modigliani, “Burri i ulur me shkop”, u hoq nga publiku dhe u dërgua në zonën e lirë të artit në Gjenevë të Zvicrës, një thesar tjetër i fshehur nga publiku.
Reporter.al