Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani thotë se pas hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian për grup kapitujt e parë, kërkon që tanimë të fillohet nga puna në aspektin teknik.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Hasani u shpreh se në momentin që do merret vendimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të kemi sa më pak pikëpyetje nga unioni, lidhur me procesin.
“Integrimi nga pikëpamja teknike ka qenë gjithmonë i varur nga ato që ndodhin në Tiranë. Nga pikëpamja politike ka pasur ecejaket e veta. Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë, të fillojmë punën në aspektin teknik. Të mbyllim sa më shpejt grup kapitujt, të jemi gati që në momentin e duhur, kur të merret vendimi politik, të kemi sa më pak pikëpyetje. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen, shqiptarët janë evropianë, në mendim dhe në sjellje, tani duhet të jenë edhe në veprim. Duhet të shndërrohemi evropianë edhe në mënyrën si veprojmë, në mënyrën si angazhohemi. Pjesa e diskurit politik, përfitimit apo humbjeve politike, mendoj se nuk duhet të përfshihet fare këtu. Është moment deçiziv për të gjithë ne që të arrijmë të kuptojmë që e ardhmja jonë është e ardhmja në Bashkimin Evropian.
Kushdo që e mendon ndryshe, e mendon në mënyrë refraktare, e mendon në komente të cilat janë paksa jo të përshtatshme. I uroj punë të mbarë dhe gëzuar ditëlindjen. Kalendari është një parashikim i qartë i gjithë angazhimit që do kemi me hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Varhelyi është një komisioner i nderuar që ne na ka ndihmuar shumë. Ky plan pune është qartësuar në detaje”, theksoi ai.