Prokuroria e Korçës dërgon për gjykim Përgjegjësin e Zyrës së Strehimit në Bashkinë e qytetit, Vasillaq Thimo, të akuzuar për “korrupsion pasiv”, si edhe shtetasen Diana Kuqidhis, të akuzuar për “korrupsion aktiv”.
Zyrtari i Bashkisë Korçë akuzohet se i ka marrë shumën 200 mijë lekë shtetases Kuqidhis, me qëllim që t’i siguronte asaj të drejtën e strehimit.
E pandehura tjetër ia ka dhënë këto para dhe, pasi ka pritur për një kohë të gjatë dhe nuk ka marrë të drejtën e strehimit, i ka kërkuar të pandehurit Thimo që t’i kthente shumën e parave të dhëna paraprakisht.
Por, nga hetimi i Prokurorisë së Korçës rezultoi se Përgjegjësi i Strehimit në Bashki i kishte marrë të pandehurës shumën e parave dhe kallëzimin për “gjobvënie” ndaj tij, ai e kishte bërë fiktiv.
Hetimi ndaj të pandehurit Thimo u zhvillua fillimisht nën masën e sigurisë “arrest me burg”, vendosur nga Gjykata e Rrethit Korçë. Ky vendim u ndryshua më pas nga Gjykata e Apelit Korçë, e cila vendosi ndaj tij masën “detyrim për paraqitje”.
DOSJA HETIMORE
E pandehura Diana Kuqidhis është banore e qytetit të Korçës. Nisur nga fakti që nuk kishte banesë në pronësi, është interesuar në lidhje me procedurat e ndarjes së banesave për të pastrehët nga Bashkia Korçë, veprim të cilin e ka bërë në vitin 2008. Nga persona të ndryshëm ajo ka rënë në dijeni të faktit se që të trajtohej me banesë si e pastrehë, duhej të paguante një shumë prej 200.000 lekësh tek personat që merreshin me mbledhjen e dokumentave. Në këto kushte, shtetësja Diana i ka kërkuar 1000 euro borxh mikeshës së saj, shtetases M. K, e cila është rezidente në qytetin e Kosturit Greqi. Shtetësja M.K. ka ardhur nga Greqia në muajin tetor 2008 (fakt i konfirmuar nga printimi i sistemit TIMS) dhe i ka dhënë Dianës një shumë prej 900 euro. Pas marrjes së shumës së eurove si më lart, Diana ka shkuar tek zyra e shtetasit Vasillaq Thimo, i cili ushtronte detyrën e përgjegjësit të sektorit të shërbimeve sociale në Drejtorinë e Kujdesit Social, Bashkia Korçë dhe i ka dhënë të pandehurit shumën e mësipërme me qëllim administrimin prej tij të dokumentacionit që Diana do dorëzonte e më pas marrjen e apartamentit si e pastrehë. Gjithashtu e pandehura Diana ka filluar mbledhjen e dokumentave dhe dorëzimin e tyre tek i pandehuri.
Nga hetimi rezulton se me qëllim plotësimin e shumës prej 200.000 lekësh, shtetësja Diana i ka dhënë edhe 40.000 lekë të tjera të pandehurit në muajin shkurt 2009. Referuar shkresës datë 25.01.2016 të Bashkisë Korçë, rezulton se në fazën e dytë të sterhimit, shtetësja Diana Kuqidhis ka dorëzuar tek i pandehuri Vasillaq Thimo, dokumentat për trajtimin si e pastrehë, ku përfshihen çertifikata familjare, fotokopja e kartës së identitetit, vërtetimi nga Z.V.R.P.P.Korçë që shtetësja Diana nuk ka banesë në pronësi etj.
Që prej momentit të dhënies së shumës së të hollave prej 900 euro dhe 40.000 lekë të pandehurit e në vazhdim, e pandehura Diana ka patur kontakte të vazhdueshme me të pandehurin Vasillaq, nga i cili i thuhej se do trajtohej me banesë në momentin që Bashkia do bënte ndarjen e apartamenteve. Realisht, referuar përgjigjes së Bashkisë Korçë, rezulton se ndarja e apartamenteve për të pastrehët është bërë në datë 19.08.2014. Faktin e mësipërm e pandehura nuk e ka ditur deri në muajt tetor-nëntor 2014. Pasi ka mësuar që banesat ishin ndarë, ajo ka tentuar të kontaktojë me të pandehurin Vasillaq si nëpërmjet telefonit ashtu dhe duke i shkuar në zyrë, por nuk ka mundur ta realizojë këtë gjë. Më pas ajo ka shkuar dhe ka marrë kontakt me një tjetër zyrtar në Bashkinë Korçë, nga i cili ka marrë dijeni për faktin e ndarjes së banesave për të pastrehët si dhe mbi arsyet se pse nuk ishte trajtuar ajo si e tillë.
Në këto kushte, shtetësja Diana ka folur me shtetasit S. K.dhe M. B, të cilëve u ka bërë prezent problemin që kishte, pra marrjen e të hollave nga shtetasi Vasillaq. Në bisedë me këta shtetas, Diana u ka thënë që të flisnin njëherë ata me Vasillaqin e t’i kërkonin atij kthimin e shumës së të hollave që Diana i kishte dhënë.
Në datë 06.01.2016, shtetasi M.B. ka kërkuar të takohet me të pandehurin Vasillaq për të folur në lidhje me problemin që i kishte bërë prezent Diana. Ai ka shkuar tek banesa e Vasillaqit dhe tek zyra e tij por nuk ka mundur ta takojë. Më pas, mbasditen e po asaj dite, shtetasi M.B. e ka takuar të pandehurin në banesën e tij dhe i ka thënë arsyen e takimit. Të dy shtetasit e kanë lënë që të takoheshin ditën e nesërme tek zyra e të pandehurit në prezencë edhe të shtetses Diana.
Në datë 07.01.2016, shtetasit M. B, S. K. dhe Diana Kuqidhis, kanë shkuar tek zyra e shtetasit Vasillaq Thimo ku brenda në zyrë kanë hyrë M.B. dhe Diana. Aty Diana i ka kërkuar shumën prej 900 euro dhe 40.000 lekë që i kishte dhënë dhe duke dalë nga zyra, Vasillaqi i ka thënë se nuk do bisedonte me të (Dianën), por do bisedonte me M.B.. Në bisedë e sipër, i pandehuri i ka thënë M.B. se Diana nuk e mbante mend mirë sa lekë i kishte dhënë, pasi në të vërtetë i kishte dhënë 60.000 lekë dhe jo sa pretendonte ajo. Pasi kanë ecur për disa minuta, i pandehuri është ndarë nga M.B. dhe e kanë lënë me fjalë që në orën 1230 të asaj dite, i pandehuri do e merrte në telefon dhe do sillte shumën prej 60.000 lekësh për Dianën. Por në të vërtetë nuk ka ndodhur kështu, pasi shtetasi Vasillaq ka shkuar në Komisariatin e Policisë dhe ka bërë kallzim penal për veprimet e shtetasve Mi.B dhe S.K, duke pretenduar se e kishin kanosur për shkak të detyrës.
Referuar materialit hetimor të mbledhur, arrihet në konkluzionin se në rastin konkret nuk ndodhemi para veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 238 i K.Penal, pasi nuk rezulton të ketë pasur kanosje, e për më tepër që kjo të ketë qënë serioze për jetën e shtetasit Vasillaq. Kjo mbi të gjitha duket në faktin që ky i fundit ka pranuar të takohej me shtetasit M.B dhe S.K pas takimit një ditë më parë me M.B dhe për më tepër, me këtë të fundit ai ka biseduar duke ecur pas daljes nga zyra. Në këto veprime të shtetasit Vasillaq, nuk vërehet frikë që do vinin pasojat që ai ka pretenduar në kallzimin e bërë.
Në vlerësim të kallzimit të bërë nga i pandehuri, është konkluduar se në rastin konkret mund të ishim jo vetëm para veprës penale të kallzuar, por edhe para veprës penale të parashikuar nga neni 259 i K.Penal. Për këtë arsye, është arritur marrëveshja e bashkëpunimit me shtetasen Diana Kuqidhis, ku kjo e fundit ka pranuar të rregjistrohen bisedat që ajo do bënte gjatë takimeve me të pandehurin Vasillaq. Në këto kushte është autorizuar përgjimi i bisedave të shtetases Diana me të pandehurin.
Në datë 15.01.2016, shtetësja Diana është takuar me shtetasin Vasillaq dhe në bisedën e rregjistruar mes tyre, fillimisht Diana i kërkon llogari se pse e kishte denoncuar atë dhe shtetasit M. B dhe S. K. Gjithashtu, në bisedë e sipër, duke parë që Vasillaqi nuk pranonte faktin që të kishte marrë shuma të hollash nga Diana, kjo e fundit ndër të tjera i ka thënë që t’i jepte 60.000 lekët që ai (Vasillaqi) kishte pranuar që i ishin dhënë.
Në datë 19.01.2016, e pandehura Diana ka qënë në banesë me një të njohurën e saj, shtetasen V.V. Rreth orës 1400-1430 ka trokitur dera e banesës dhe atë e ka hapur shtetësja V.V pasi Diana ishte e sëmurë. Në momentin që ka hapur derën, shtetësja V.V ka parë një person të moshës rreth 40 vjeç tek dera dhe rreth 1 m larg tij, ishte i pandehuri Vasillaq të cilin dëshmitarja e njihte. Në momentin që ka parë se derën nuk e hapi Diana por një shtetase tjetër, i pandehuri ka bërë disa hapa mbrapa. Shtetasen V.V e ka pyetur personi që trokiti në derë nëse ndodhej Diana aty. V.V ka thirrur Dianën duke i thënë se e kërkonin dhe ajo ka ardhur tek dera, ndërkohë V.V është larguar. Kur Diana ka dalë tek dera, ka parë personin që kishte torkitur dhe disa metra larg tij ka parë të pandehurin Vasillaq i cili e ka përshëndetur. Personi që kishte trokitur, i ka thënë Dianës se kishte një porosi për atë dhe i ka zgjatur një pako të mbështjellë me gazetë. Duke patur frikë për çfarë pakoja mund të ishte, Diana i ka kërkuar ta hapte dhe personi që po ia dorëzonte e ka hapur. Diana ka konstuar se në pako ndodheshin një sasi të hollash. Në këto momente Diana ka menduar se të hollat ishin ato që ajo i kishte dhënë Vasillaqit dhe i ka marrë. Në veprimet e mësipërme ka qënë prezente dhe shtetësja V.V, e cila ka numëruar lekët pasi personi i panjohur dhe i pandehuri janë larguar nga hyrja e apartamentit. Pasi i kanë numëruar, ato kanë konstatuar se ishin 60.000 lekë, të prerjes 1000 lekëshe. Në këto kushte, Diana ka komunikuar me oficerin e policisë gjyqësore të ngarkuar me hetimin dhe shuma e të hollave si më lart është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe është dërguar në Policinë Shkencore Tiranë me qëllim bërjen e aktit të ekspertimit daktiloskoipik.
Një ditë pas ngjarjes si më lart, e pandehura Diana është takuar përsëri me të pandehurin Vasillaq dhe në bisedë e sipër, Diana i ka thënë të pandehurit që shumën që ajo i kishte dhënë, ai (Vasillaqi) t’ia jepte me këste. I pandehuri i përgjigjet se atë që kishin biseduar, do ia jepte. Biseda e rregjistruar vazhdon me kërkimin e Dianës për shumën e plotë të të hollave të dhëna dhe përgjigjet e Vasillaqit seajo ishte shuma që i ishte dhënë (60.000 lekë) dhe se Diana kishte bërë gabim që u kishte thënë shtetasve M.B dhe S.K.
Panorama