Avokati Idajet Beqiri ka folur në lidhje me hetimet mbi dosjen e “21 Janarit”. Ai ka bërë një deklaratë të fortë, teksa tha se atë ditë do të kishte viktima të tjera, përveç 4 protestuesve që u vranë.
Sipas tij, edhe personat që mbetën të plagosur u tentua të eliminoheshin, madhe kishte rrezik që vetë policia t’i vriste. Ai tha se ka si provë dëshminë e një mjeku, që i ka mjekuar ilegalisht për t’i mbrojtur.
“Më 21 janar do kryheshin edhe vrasje të tjera. U vranë 4 protestues, por dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Ata u tentuan të vriteshin si gazetari Mahmutaj e të tjerë me radhë.
Të plagosurit janë mjekuar ilegalisht atë ditë. Po të shkonin në polici do të vriteshin. Pardje më ka ardhur një provë tjetër nga një mjek. Ky doktor më thotë se ka mjekuar shumë persona që ishin të plagosur në mënyrë ilegale sepse, policia do i fuste në burg ose dhe mund t’i eliminonte.
Ai ka prova për ta, i ka mbajtur shënim të gjitha rastet. Është gati të shkojë dhe të dëshmojë në SPAK, pasi po krijohet tashmë klima e duhur për t’i nxjerrë të gjitha të vërtetat e asaj ngjarjeje.”– tha avokati në emisionin “Breaking”.