Qytetarët nuk do të kenë nevojë më të paraqiten në sportele për të lidhur kontratat e energjise elektrike. Shërbimi që ofrohet online sipas drejtuesve të operatorit të shpërndarjes lehtëson procedurat dhe shmang abuzimet.
Nga sot, shërbimi për të lidhur një kontratë të re të energjisë elektrike do të ofrohet vetëm online dhe jo më fizikisht në sportele.
“Të gjitha aplikimet për lidhjet e reja të energjisë 0-20 kv, që përfshin kontrata familjare dhe biznese të vogla, do të kryhen vetëm online në ëebsiten e OSHEE dhe në aplikacionin e OSHEE. Ky është një hap i rëndësishëm që ne po ndërmarrim drejt digjitalizimit dhe lehtësimit të procedurave për rreth 85% të konsumatorëve tanë,” tha Xheni Kazaferi, drejtor departamenti i zhvillimit të aseteve.
Me digjitalizimin e këtij shërbimi, OSHEE ka lehtësuar edhe procedurat që një abonent duhet të ndjekë kur kryen aplikimin.
“Dokumentet që janë hequr janë gen-plani i vendndodhjes, protokolli i tokëzimit dhe deklarata e instaluesit. Një abonent që kërkon një lidhje të re energjie, një rritje të fuqisë së kërkuar ose transferimin e kontratës ekzistuese ka nevojë vetëm për 4 dokumente, kërkesa për furnizimin energji elektrike, vërtetim i identitetit, vërtetim i pronësisë së objektit, dhe vetëdeklarimi i abonentit në bashkëpunim me inxhinierin elektrik që ka kryer instalimet në objekt”, shtoi Kazaferi.
Përmes kalimit të shërbimit vetëm online, OSHEE synon të kursejë kohë për abonentët dhe të shmangë rastet e abuzimit.
“Aplikimi online lehtëson dhe kursen kohën, nuk do të jetë më e nevojshme të drejtohet në zyrat fizike. Rrit transparencën dhe ndjek në kohë reale procedurën. Abonenti mund të kontrollojë statusin e kërkesës së tij. Ftoj të gjithë abonentët të denoncojnë në kanalet tona çdo abuzim të punonjësve tanë ose të palëve të treta që ju ofrojnë zgjidhje jashtë procedurave,” deklaroi Xheni Kazaferi.
Gjatë këtij nëntëmujori, pranë OSHEE janë dorëzuar 11.589 aplikime për lidhje në linjën 20 kilovolt nga subjekte familjare dhe biznese, nga të cilat 80% e kërkesave janë miratuar.
/a.r